Ish-presidenti Donald Trump është akuzuar për nxitje të trazirave në Capitol që rrezikuan demokracinë amerikane. Prokurori i posaçëm ka thënë se Trumpi me gënjeshtra ka bërë përpjekje për ta bllokuar bartjen paqësore të pushtetit dhe për të vonuar numërimin e votave që konfirmuan humbjen e tij nga rivali demokrat, Joe Biden.
(AP/BBC) - Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-presidentit Donald Trump në lidhje me përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale dhe kryesimin e trazirave në ndërtesën e Capitolit në Washington.
Ish-presidenti republikan do të mbahet përgjegjës edhe për përpjekjen e paprecedent për të bllokuar bartjen paqësore të pushtetit presidencial dhe kërcënimin e demokracisë amerikane.
Rasti i tretë penal kundër Trumpit ka ofruar detaje më të mëdha në lidhje me një prej momenteve më të errëta të historisë amerikane. Aktakuza përmban detaje të fushatës së gënjeshtrave për rezultatin e zgjedhjeve që mundësuan trazirat në Capitol.
Trumpi ka bërë përpjekje që të shfrytëzojë dhunën për të vonuar edhe më shumë numërimin e votave që konfirmuan mposhtjen e tij nga rivali demokrat, presidenti aktual Joe Biden.
Akuzat përfshijnë komplotin për ta mashtruar Qeverinë e SHBA-së. Kjo është hera e parë që një ish-president përballet me pasojat ligjore për përpjekjet e tij që të mbetet në pushtet.
Edhe
Paditet për herë të dytë ish-drejtori i FBI-së, James Comey
Prokurori i posaçëm, Jack Smith, në konfirmimin e aktakuzës të martën mbrëma, ka thënë se trazirat ishin sulm ndaj demokracisë amerikane.
“Sot është ngritur aktakuza ndaj Donald Trumpit për komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, komplot për të hequr të drejtën e votuesve dhe komplot në përpjekjet për ta penguar procedurën zyrtare. Sulmi ndaj Capitolit, më 6 janar 2021, ishte sulm i paprecedent i selisë së demokracisë amerikane. U ushqye nga gënjeshtrat, gënjeshtrat nga i pandehuri, me synim pengimin e funksionit themelor të Qeverisë së SHBA-së, procesin e mbledhjes, numërimin dhe certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale”, ka thënë prokurori Jack Smith në konferencën për media të mbajtur të martën mbrëma.
Ekipi i fushatës së Trumpit akuzat i ka quajtur “të rrejshme” dhe ka pyetur se përse janë dashur dy vjet e gjysmë për ngritjen e këtij rasti.
Të martën vetëm ndaj Trumpit është ngritur aktakuzë, por prokurorët kanë paralajmëruar se mund të ketë edhe bashkëpunëtorë të tjerë të Trumpit. Rastet penale vetëm sa kanë ashpërsuar garën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Edhe në rast se dënohet, Trumpi mund ta vazhdojë garën presidenciale, madje edhe të zgjidhet president. Teorikisht, Trumpi president do të mund të emëronte një kryeprokuror që do t’i rrëzonte të gjitha akuzat ose edhe ta falte republikanin.
Trumpi, i cili tani përballet me 78 akuza në tri raste të ndryshme gjyqësore, është pretendenti kryesor në garën e partisë republikane për nominimin si kandidat presidencial. Kushdo që fiton këtë garë do të përballet me të nominuarin demokrat, i cili pritet të jetë presidenti Biden në zgjedhjet e nëntorit 2024.
Përballja me drejtësinë
Aktakuza e së martës, do të thotë se Trumpi do t’i ketë tri raste gjyqësore në 12 deri në 18 muajt e ardhshëm, duke ia komplikuar garën e dytë për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Edhe
Smith: Trump u përpoq ta përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020
Prokurorët në shtetin e Georgias gjithashtu janë duke e hetuar ish-presidentin për rrethana të ngjashme, duke u përqendruar nëse ai jashtëligjshëm u ka bërë presion zyrtarëve të zgjedhjeve që të hedhin poshtë fitoren e Bidenit. Vendimi nga prokurorët për të ngritur aktakuzë ndaj Trumpit në lidhje me këtë rast, pritet të merret më vonë gjatë muajit gusht.
Ndërkaq në shtete të tjera dhjetëra republikanë janë duke u hetuar nëse kanë ndihmuar Trumpin në përpjekjet e tij për t’ia pamundësuar Bidenit fitoren në garën presidenciale.
Prokurorët shtetërorë në Michgan kanë akuzuar një kandidat për kryeprokuror dhe një tjetër përkrahës të Trumpit për prishjen e makinave të votimit në përpjekje për të argumentuar se Trumpi kishte humbur shkaku i vjedhjes së votave.
Trazirat në Kongres kanë çuar në “impiçmentin” e dytë të tij në Dhomën e Përfaqësuesve – duke u bërë presidenti i parë amerikan që përballet dy herë me këtë proces.
Sipas raportimeve, prokurorët kanë thënë se Trumpi e dinte se qëndrimet e tij se e ka fituar garën ishin false, por “vazhdimisht i ka përsëritur – për t’i bërë këto qëndrime false të duken legjitime, për të krijuar atmosferën kombëtare të mosbesimit dhe për të tkurrur besimin publik në administratën e zgjedhjeve”.
Në dokumentet e gjykatës është përmendur me kujdes se Trumpi kishte këto qëndrime me qëllim që të mbrojë sjelljet e tij, se ai kishte çdo të drejtë për të sfiduar rezultatet, për të përdorur gjykatat, madje edhe të gënjente gjatë këtyre proceseve. Mirëpo në këto dokumente tregohet edhe se si ish-presidenti kishte bërë hapa të jashtëligjshëm për të kthyer vendimin e votuesve.
Aktakuza është pritur që kur Trumpi në meskorrik kishte njoftuar se Departamenti i Drejtësisë e kishte informuar se ishte cak i hetimeve. Komiteti dypartiak i Dhomës së Përfaqësuesve me muaj të tërë ka hetuar trazirat në Capitol dhe kishte rekomanduar ngritjen e akuzave ndaj Trumpit, duke përfshirë ato për ndihmë të trazirave dhe pendim të procedurave zyrtare.
Muaj më parë, në New York, prokurorët e shtetit e kanë akuzuar Trumpin për falsifikimin e të dhënave të biznesit kur pagoi mijëra dollarë për heshtjen e aktores së filmave për të rritur me qëllim që ajo të heshtte për aferën që kishte me Trumpin para zgjedhjeve të vitit 2016. Gjykimi pritet të fillojë në marsin e vitit 2024.
Edhe
Trumpi kundër BBC-së: Cilat janë pengesat për argumentin ligjor të presidentit?
Në Florida, Departamenti i Drejtësisë e ka akuzuar për mbajtjen e jashtëligjshme të dokumenteve sekrete pasi ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë. Departamenti gjithashtu e ka akuzuar për fshehjen e këtyre dokumenteve nga hetuesit. Ky gjykim pritet të fillojë në majin e vitit të ardhshëm.
Përktheu: Gent Mehmeti