Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi me gënjeshtra donte ta mbante pushtetin

Ish-presidenti Donald Trump është akuzuar për nxitje të trazirave në Capitol që rrezikuan demokracinë amerikane. Prokurori i posaçëm ka thënë se Trumpi me gënjeshtra ka bërë përpjekje për ta bllokuar bartjen paqësore të pushtetit dhe për të vonuar numërimin e votave që konfirmuan humbjen e tij nga rivali demokrat, Joe Biden.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-presidentit Donald Trump në lidhje me përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale dhe kryesimin e trazirave në ndërtesën e Capitolit në Washington.

Ish-presidenti republikan do të mbahet përgjegjës edhe për përpjekjen e paprecedentë për të bllokuar bartjen paqësore të pushtetit presidencial dhe kërcënimin e demokracisë amerikane.

Rasti i tretë penal kundër Trumpit ka ofruar detaje më të mëdha në lidhje me një prej momenteve më të errëta të historisë amerikane.

Aktakuza përmban detaje të fushatës së gënjeshtrave për rezultatin e zgjedhjeve që mundësuan trazirat në Capitol.

Trumpi ka bërë përpjekje që të shfrytëzojë dhunën për të vonuar edhe më shumë numërimin e votave që konfirmuan mposhtjen e tij nga rivali demokrat, presidenti aktual Joe Biden.

Edhe Gënjeshtrat e Trumpit për mbajtje të pushtetit Botë Gënjeshtrat e Trumpit për mbajtje të pushtetit

Akuzat përfshijnë komplotin për ta mashtruar Qeverinë e SHBA-së. Kjo është hera e parë që një ish-president përballet me pasojat ligjore për përpjekjet e tij që të mbetet në pushtet.

Prokurori i posaçëm, Jack Smith, në konfirmimin e aktakuzës të martën mbrëma, ka thënë se trazirat ishin sulm ndaj demokracisë amerikane.

“Sot është ngritur aktakuza ndaj Donald Trumpit për komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, komplot për të hequr të drejtën e votuesve dhe komplot në përpjekjet për ta penguar procedurën zyrtare. Sulmi ndaj Capitolit, më 6 janar 2021, ishte sulm i paprecedentë i selisë së demokracisë amerikane. U ushqye nga gënjeshtrat, gënjeshtrat nga i pandehuri, me synim pengimin e funksionit themelor të Qeverisë së SHBA-së, procesin e mbledhjes, numërimin dhe certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale”, ka thënë Smith.

Ekipi i fushatës së Trumpit akuzat i ka quajtur “të rrejshme” dhe ka pyetur se përse janë dashur dy vjet e gjysmë për ngritjen e këtij rasti.

Të martën vetëm ndaj Trumpit është ngritur aktakuzë, por prokurorët kanë paralajmëruar se mund të ketë edhe bashkëpunëtorë të tjerë të Trumpit.

Rastet penale vetëm sa kanë ashpërsuar garën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Edhe Mundësitë e burgosjes së Trumpit Botë Mundësitë e burgosjes së Trumpit

Edhe në rast se dënohet, Trumpi mund ta vazhdojë garën presidenciale, madje edhe të zgjidhet president.

Teorikisht, Trumpi president do të mund të emëronte një kryeprokuror që do t’i rrëzonte të gjitha akuzat ose edhe ta falte republikanin.