Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Krenari

Takimi pas çerekshekulli me djaloshin që u nis nga Prishtina për t’u bërë një prijës teknologjik e biznesi

1.

Po të përdornim më shpesh apostrof, titulli i këtij shënimi do të duhej ta përzgjidhte veten mes krenarisë dhe Krenarit. Kështu siç është, lejon komoditetin e shfrytëzimit të gjendjes së papërcaktuar.
Pra, u takova me Krenarin pas afro çerekshekulli.

Një çerekshekull më herët ishte një djalë me flokë kaçurrela dhe sy të zinj të mëdhenj, të përforcuar me një kornizë vetullash të trasha. Kishte buzëqeshje të përhershme që herë sinjalizonte mirësjellje, herë gjendjen e tij të natyrshme e herave një akt rezistence, si për shembull kur pas një pune shumëditëshe e tëra ajo që ai kishte punuar së bashku me disa kolegë u shlye nga serverët kompjuterikë. Krenari punoi i vetëm tërë një ditë dhe natë pa gjumë punën që e kishte bërë ekipi brenda së paku një jave dhe doli në mëngjes me produktin e gatshëm, një dizajn të grafikës së motit, aso që del në fund të lajmeve. Dhe, natyrisht, doli me buzëqeshjen e tij.

2.

Ishte 16-vjeçar, anëtari më i ri i një ekipi të rinjsh që e filluan KTV-në. Kishte mendjen e inxhinierit kompjuterik që di të gjejë zgjidhje matematikore për problemin dhe sensin perceptiv për të krijuar animacionin bashkëkohor televiziv. 

Edhe Kolumne Gracka e tepihut të kuq

La vulën e vet dhe shkoi në Amerikë më 2001 për të kryer vitin e fundit të gjimnazit. Pastaj kreu fakultetin (duke integruar tre drejtime shkencore në diplomë) dhe magjistraturën.

Ndonjëherë rastisja t’i takoja në rrugë prindërit e tij. Mustafa Komoni ishte njëri prej inxhinierëve me nam, prej të cilit Krenari trashëgoi buzëqeshjen me sy e vetulla dhe Buqe Rushiti ishte gazetare e njohur dhe shkrimtare, prej së cilës trashëgoi ndjeshmërinë artistike. Më tregonin se ishte mirë, diçka që u bë rutinë, sepse për te e nga ta mund të dëgjoje vetëm të mira. 

Pastaj nuk më binte t’i takoja prindërit. Buqja vdiq. Një vit më pas u shfaq një film për të, kisha ftesë prej Mustafës e Krenarit, por nuk qëllova në Kosovë.

Një vit më vonë më arriti një ftesë e një tjetër natyre për themelimin e degës së një kompanie të quajtur Tive. Mbrapa kompanisë ishte Krenari, dhe ishte një rast për ta takuar, por sërish nuk qëllova në Kosovë.

3.

Këtë javë shkova në zyrat e Tive në Prishtinë për t’u takuar me Krenarin.

Edhe Kolumne Matura e mashtrimit

Flokët nuk i kishte më kaçurrel, buzëqeshja kishte mbetur, tash në një fytyrë më të pjekur. Prej kohës që nuk jemi parë, pas të gjitha shkollave që i kreu, Krenari shpiku një produkt e koncept dhe ndërtoi një kompani rreth tij. Produkti është një pajisje elektronike e madhësisë së një telefoni të vogël që vihet në kamionë, kontejnerë apo forma të tjera për transport dërgesash dhe nëpërmjet saj dërguesi di saktë se ku është dërgesa e tij. Dhe jo vetëm kaq: sensorët matin në kohë reale temperaturën, lagështinë, goditjet fizike (nëse malli dëmtohet) dhe ekspozimin ndaj dritës (nëse hapet dera e kontejnerit pa leje). Të dhënat dërgohen direkt në platformën softuerike të Tive, ku pronarët e mallit marrin alarme të menjëhershme nëse diçka nuk shkon mirë. Dhe jo vetëm kaq: vozitësi i dredhëzave e boronicave “Driscolls” (që shërben supermarketet e shtrenjta) merr lajmërim telefonik nga agjenti i inteligjencës artificiale nëse temperatura e frigoriferit në kamion ka hipur mbi një shkallë Celsiusi; dërguesit e shampanjës “Moet” marrin informatë të menjëhershme po që se është goditur mekanikisht ndonjëra prej kutive të tyre e dërguar me transport.

Tive Inc. sot është kompania globale numër një për përcjellje të transportit të produkteve, Krenari është drejtor i përgjithshëm i saj e tregjet e aksioneve e vlerësojnë kompaninë diku te gjysmë miliardë dollarësh.

4.

Kur e themeloi Tive në Massachusets, njëri prej motiveve diku i zhytur thellë ishte edhe ai i ëndrrës së emigrantit, posaçërisht në SHBA, që një djalë i Prishtinës të arrijë mes Amerikës me u tregu prijës në një fushë siç është teknologjia, në këtë rast, teknologjia informative.

Pastaj e vendosi edhe ëndrrën tjetër, atë të emigrantit që shikon prapa prej nga ka ardhur dhe themeloi Tive në Prishtinë. Kompania në tërë botën ka mbi 300 të punësuar (përfshirë në Kinë, Afrikë të Jugut e vende të tjera) e prej këtij numri 130 janë në Prishtinë. 

Në zyrat e tyre takoj djem dhe vajza që i kam parë duke u rritur në Prishtinë, u jam gëzuar martesave dhe lindjeve të fëmijëve. Tash shikojmë së bashku se si monitorët e mëdhenj tregojnë në kohë reale sasinë e pajisjeve që janë në përdorim, përqindjen e software-it që është duke u përdorur – një përfaqësim të tërë një bote në lëvizje të përkthyer në përqindje e shifra.

Edhe Kolumne Një shtet si një labirint

Në atë moment, emigranti që dëshmoi se mund të shkëlqejë në Amerikë tregon se si kompania e tij me përzgjedhje stafi dhe organizim mund të funksionojë në treg global nga Prishtina sikur çdo kompani amerikane.

Dhe Krenari që i ka bërë të gjitha këto paresisht me mund e vendosmëri të veten ka pse të jetë krenar. Dhe unë të jem krenar me të, qoftë vetëm edhe si qytetar i këtij vendi.