Ia filluam prej një ëndrre, si do të na dukej një TV që do të na pëlqente, që do të përmbushte kriterin tonë për TV. Dhe, me këso pikënisje, filluam t’ia japim vulën tonë programeve të ndryshme, prej atyre informative, të mëngjesit e të fëmijëve, të artit e kulturës, të të famshit “Hajt pak” dhe çdo ideje kreative që do të sillej në tryezën tonë të përbashkët të vendimeve. TV e ëndrrave tona filloi me një parim, të besueshmërisë, të atij parimi që ishte vendosur në “KOHA Ditore” më herët. Dhe ky parim mbi të gjitha ishte ai që u përqafua menjëherë e që mbeti deri më sot: KTV është mediumi më i besueshëm televiziv në këtë çerekshekull Kosove të lirë
1.
Reportazhi i parë nuk u emitua. Nuk di a u incizua, nuk e kemi të qartë ende sot.
Ishte dita e protestave kundër rrethimit të Prekazit e të familjes Jashari. Unë dola në demonstrata, redaktorët e gazetarët e “KOHËS Ditore” u mobilizuan, si zakonisht, për ta përcjellë ngjarjen në të cilën dhjetëra mijëra qytetarë kalonin nëpër qendër të Prishtinës, demonstrata më masive prej kohësh. Nga dritarja e katit të sipërm demonstratat i xhironte me një kamerë njëri prej katër të përzgjedhurve nga KOHA për trajnim disajavor në Shkup, trajnim për diçka që dukej si embrion i një projekt televizioni, dikur në të ardhmen. Idenë për trajnim e dha Komiteti Suedez i Helsinkit, një prej përkrahësve të “KOHËS” dhe të projekteve të tjera të shoqërisë civile në Kosovë. Ideja erdhi pas një bisede në të cilën u pyeta se çfarë do të ishte zhvillimi i ardhshëm i “KOHËS” një ditë, kur do të ishim të lirë. U thash se hapi i ardhshëm do të ishte televizioni, një ide që tingëllonte krejtësisht normale në një vend normal, por jo në një Kosovë të okupuar. Megjithatë, për bashkëbiseduesit e mi fakti që KOHA do të mund ta bënte TV-në ishte krejtësisht e mundshme; “KOHA Ditore” kishte arritur që të ndërtonte njëkohësisht një rrjet shpërndarjeje gazetash, të ndërtonte shtypshkronjën dhe të fillonte gazetën ditore me një staf që në shumicë nuk kishte kurrfarë përvoje paraprake.
Policia filloi t’i rrahë protestuesit, hëngra edhe unë dajak, dhe kur u afruan te redaksia panë që nga aty po incizohej. Policët e armatosur hynë në redaksi, rrahën pa diskriminim këdo që u doli përpara dhe kur arritën te dritarja nga incizohej nuk e gjetën xhiruesin. Ai kishte kërcyer nga dritarja, duke e thyer këmbën.
Storja e KTV-së ende të pathemeluar mbeti dikund, ndoshta në arkivat e policisë serbe.
2.
Ideja për televizion u rishpërfaq natyrshëm pas lufte. “KOHA Ditore” filloi të dalë në afat rekord në Kosovë, nga vjeshta e vitit 1999 e shtypur madje në Prishtinë. Donatorët kryesorë, USAID dhe Fondacioni Soros kishin besimin e plotë në simbolin KOHA, si në kapacitetin që në të bëhet seleksionimi dhe trajnimi i stafit ashtu edhe në atë që tashmë ishte bërë e njohur gjithandej në botë, një pavarësi editoriale.
Dhe ky ishte një fillim me të cilin isha i njohur më parë, një grumbull njerëzish të rinj pa kurrfarë përvoje profesionale e me shumë energji e vullnet e të udhëhequr prej njerëzve si unë, të ballafaquar me afate fillimi, vjeshta e vitit 2000. Për më tepër, për dallim prej projekteve të gazetarisë së shkruar, ky ishte një projekt ku as unë nuk kisha përvojë.
Ia filluam prej një ëndrre, si do të na dukej një TV që do të na pëlqente, që do të përmbushte kriterin tonë për TV. Dhe, me këso pikënisje, filluam t’ia japim vulën tonë programeve të ndryshme, prej atyre informative, të mëngjesit e të fëmijëve, të artit e kulturës, të të famshit “Hajt pak” dhe çdo ideje kreative që do të sillej në tryezën tonë të përbashkët të vendimeve.
TV e ëndrrave tona filloi me një parim, të besueshmërisë, të atij parimi që ishte vendosur në “KOHA Ditore” më herët. Dhe ky parim mbi të gjitha ishte ai që u përqafua menjëherë e që mbeti deri më sot: KTV është mediumi më i besueshëm televiziv në këtë çerekshekull Kosove të lirë.
3.
Ka qenë një çerekshekull sfidues, frytdhënës dhe i vështirë. Ndërkohë që KTV ishte pjesë e rëndësishme e transformimit të Kosovës, duke i shërbyer me shtyllën e vet vertikale të pavarësisë, ky transformim historik e pozitiv i vendit cenohej e cenohet me forca jodemokratike, me mungesa të dukshme përparimi edukativ dhe me jetë në një regjion konfliktesh të papërfunduara. Për më tepër, jetojmë në një çerekshekull të revolucionit informativ në botë që po e shkund në themel sistemin tradicional informativ, institucionet dhe fundamentin demokratik të ndërtimit të vullnetit të vendimit të lirë në bazë të informimit të lirë.
Tashmë kemi hyrë në një periudhë historike ende të pakodifikuar me ligje e institucione, njërin ku ligjërimi i prodhuar nga algoritmet e medieve sociale përpiqet të dominojë dhe në shumë instanca arrin të ketë sukses, mbi informatën e shërbyer nga medie profesionale.
KOHA dhe KTV, sinonimet e informatës së besueshme sërish janë në pozitën e Davidit që hyn në luftë të pabarabartë me Goliatin e padijes, informatës gjysmake e tendencioze, të interesave politike e ekonomike që përdorin algoritmet dhe mediet sociale për të cunguar demokracinë në shtyllën e saj parësore, të drejtën e informimit e të vendimit në saje të informatës së pacunguar.