Shtojca për Kulturë

We shall never surrender!

Flaka Surroi: “Do të luftojmë me fjalën, me kamerën, me kronikën e me editorialin. Do të luftojmë në ekran, në hapësirën digjitale, në çdo cep ku ka nevojë për të vërtetën” (Foto: Driton Paçarada)

Flaka Surroi: “Do të luftojmë me fjalën, me kamerën, me kronikën e me editorialin. Do të luftojmë në ekran, në hapësirën digjitale, në çdo cep ku ka nevojë për të vërtetën”

Foto: Driton Paçarada

KTV-ja kurrë nuk ishte vetëm një televizion. Përherë ka qenë një shkollë, shtëpi, një familje e madhe. Një vend ku të rinjtë e mësuan se gazetaria nuk është vetëm ta transmetosh lajmin, por ta mbrosh të vërtetën, edhe kur ajo kushton. Ishte vendi ku e kuptuan se ekrani nuk ka vlerë nëse pas tij nuk qëndron integriteti. Sepse KOHA dhe KTV-ja nuk janë thjesht mediume – janë besim. Dhe besimi nuk tradhtohet. Prandaj, siç do ta thoshte Churchilli shumë moti: Ne nuk do të dorëzohemi kurrë!

Ka mbi një mijë javë që shkruaj kolumne javore dhe përherë nisem me dilemën e njëjtë: si ta shtjelloj atë që e kam në mendje dhe si t’ia jap një rrjedhë që teksti të mos bëhet i mërzitshëm për atë që zgjedh ta lexojë. Por duket se nuk gjej kohë për të shkruar shkurt. Mbase edhe nuk e kam të lindur 😊.
Për ndihmë iu qasa mikut më të ri, sa revolucionar aq edhe frikësues: Chatgpt. I tregova se çfarë mendoja, ia përshkrova historinë dhe i kërkova që ta shkruante në stilin tim. Ajo që doli qe impresive, por megjithatë, m’u desh të ndërhyja në secilin paragraf, për ta rikthyer në një tekst të pranueshëm. Për shkak se, pavarësisht superinteligjencës, miku virtual nuk ka ndjenja.

* * *

Ditën kur e nisi transmetimin, ishim mbledhur në një lokal, afër shtëpisë së vjetër të mallrave, që dikur kishte qenë dyqani i mobileve i “Gërmisë”. Ishte paraparë që ta shikonim xhirimin e edicionit të parë të lajmeve të KTV-së. Edhe të një realizimi të një vizioni që e kishte pasur Vetoni shumë vjet më parë: që më 1990, kur firmën që e kishte regjistruar në Zagreb (me ndihmën e veprimtarit Vebi Velia) për ta botuar javoren KOHA, e kishte emërtuar ARTA. Pas këtij emri, “fshihej: kuptimi i vërtetë: Albanian Radio Television Agency.

Pas gazetës, portalit ARTA dhe Radio KOHËS jetëshkurtër, i erdhi radha televizionit. Për të gjithë ata që e nisën punën në të, ishte një diçka e re, e paprovuar më herët. Për mua qe një çast krenarie – kurrë nuk hoqi dorë nga ëndrra dhe edhe këtë e realizoi. Ishte ditë e madhe për Vetonin dhe isha e lumtur se atë e ndante edhe me mua.

Televizioni do të ishte një ndërmarrje e largët për mua në kohën kur merresha me projekte nëpër fshatra. Por miku im Lekë Zherka, i cili me propozimin tim u emërua drejtor i KTV-së, kërkoi që ta ndihmoja, në një çast kur televizioni ballafaqohej me shumë telashe. Më 2003 nisa ta udhëheq bordin programor. E për të ditur se ku isha përfshirë, m’u desh t’i mësoja nga e para jo vetëm pajisjet, por edhe një gjuhë tërësisht të panjohur – një mori shprehjesh teknike që dikur u bënë pjesë e fjalorit tonë të përditshëm. Ende pas tre vjetësh, KTV-ja vlonte me të rinj që kishin hyrë dhe vazhdonin të hynin në këtë shtëpi me shumë kureshtje, por pa përvojë. 

KTV-ja kurrë nuk ishte vetëm një televizion. Përherë ka qenë një shkollë, shtëpi, një familje e madhe. Një vend ku të rinjtë e mësuan se gazetaria nuk është vetëm ta transmetosh lajmin, por ta mbrosh të vërtetën, edhe kur ajo kushton. Ishte vendi ku e kuptuan se ekrani nuk ka vlerë nëse pas tij nuk qëndron integriteti.

* * *

Gjatë këtyre 25 vjetëve kemi kaluar nëpër sfida të shumta – teknologjitë kanë ndryshuar, konkurrenca jolojale shpesh na ka rënduar dhe presionet politike kurrë nuk kanë munguar. Por, qëndruam dhe do të qëndrojmë për shkak se janë së paku tri gjëra që nuk i kemi humbur kurrë: pavarësinë, besueshmërinë dhe profesionalizmin.

Pavarësinë, sepse pa të nuk ka gazetari të njëmendtë.

Besueshmërinë, sepse ajo është arsyeja se pse publiku na përcjell.

Profesionalizmin, sepse ai është standardi ynë i përditshëm, i fituar me shumë punë, mund, dhe jo rrallë, shumë sakrifica bile edhe personale. 

Çerekshekulli i radhës nuk e besoj se do të jetë i lehtë. Problemet politike e ekonomike, propaganda, lajmet e rreme, joprofesionalizmi dhe armiqtë e njohur dhe të panjohur të kësaj shoqërie, e që shfaqen përditë, do të vazhdojnë të jenë aty. E përgjigjja e KOHËS përherë do të jetë po kjo e njëjta dhe e pandryshueshmja: do të luftojmë dhe do ta mbrojmë gazetarinë e lirë e të pavarur; do të informojmë me integritet dhe do të jemi aty ku publiku ka nevojë për ne. Dhe ky mision na mban gjallë edhe në ditët më të vështira.

Do të luftojmë me fjalën, me kamerën, me kronikën e me editorialin. Do të luftojmë në ekran, në hapësirën digjitale, në çdo cep ku ka nevojë për të vërtetën. Sepse KOHA dhe KTV-ja nuk janë thjesht mediume – janë besim. Dhe besimi nuk tradhtohet. Prandaj, siç do ta thoshte Churchilli shumë moti: Ne nuk do të dorëzohemi kurrë!  

Urimi im sot është për ata që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi dhe që janë ende këtu, pavarësisht vështirësive. Pa ju, KTV-ja nuk do të ishte kjo që është. Dhe urimi im është edhe për brezat që do të vijnë, të cilëve do t’ua lëmë jo vetëm një medium, por një kulturë të ndërtuar mbi besimin.