Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Improvizim mbi improvizime

Rinovimi i Teatrit Kombëtar i ka hëngër katër vjet e gjysmë të qeverisjes gjashtëvjeçare që kësaj qeverie – shembulli më eklatant i paaftësisë së saj menaxheriale dhe të kuptuarit se prioritet i kësaj shoqërie janë edhe kultura, e sidomos arsimi. Asnjëra nga to nuk zgjidhen me ndarjet e parave të gatshme të buxhetit në emër të mirëqenies sociale që zakonisht gufon në kohë zgjedhjesh

Dikur rruga “Ramiz Sadiku” (tash “Agim Ramadani”) niste përafërsisht aty ku është tash përmendorja e Rugovës dhe përfundonte te semaforët e konvikteve rrugës për zonën perëndimore të Kodrës së Diellit.

Kishte qenë rrugë e mjaftueshme për kalimin e veturave nga të dyja anët, pra përafërsisht aq sa është gjerësia e dy nga katër shiritat sa i ka sot. E shtruar me kalldrëm, dhe me trotuar të parregulluar që verës dukej si lloç i tharë i shkretëtirës e në vjeshtë nuk dukej, por ishte lloç përnjëmend që të ngjitej për këpucë. I tillë ishte, saqë në hyrjet e ndërtesave të porsandërtuara në vitet ’60 të shekullit të shkuar, ishin vendosur pastruesit e lloçit: një copë e metalit të topitur, e ngulitur me dy mbajtëse të shkurtra, në granitin që e kufizonte derën dykrahëshe të hyrjes, me xhama të “armuar”, pra me tela përbrenda, që thyheshin më shumë zor.

Aty ku sot janë dy korsitë që i janë shtuar rrugës nga mesi i viteve ’70, ka qenë një rend shtëpish që përfundonin aty ku ka qenë “Sllovenia Shporti”, sot Komiteti Olimpik i Kosovës. Bile mbaj mend që njëra nga to e kishte një çezme – e ajo nuk furnizohej nga ujësjellësi.

Prishtina e atëhershme ishte një përzierje shumë interesante e “modernes” dhe të vjetrës, por atëherë, si fëmijë, nuk mund ta kuptonim se një pjesë e asaj Prishtine do të merrte fund, me bagera, ani që pa rendera. Në fakt do të ndryshonte me një plan të studiuar urbanistik. I qëlluar apo jo, ka hapësirë shumë për ta diskutuar.

* * *

Me t’u nisur rrugës teposhtë (dhe nuk e di pse i thoshim teposhtë, kur krejt rrafsh ka qenë, po nejse), kur niseshim nga drejtimi i Xhamisë së Çarshisë, në fund të ndërtesave ku ishin vendosur të punësuarit e “Radio Prishtinës”, ishte një godinë pa dritare, por që ishte selia e “qyftexhiut” të lagjes. Quhej qebaptore, por “qebapa” nuk mbante, por “qyfte” po, të përcjella me nga një spec të pjekur e të qëruar (djegës ose padjegës) dhe kos të dhenve a lope, që vetë e zinin. Jogurtët në gota plastike do të vinin më vonë... ato tashmë ishin simbol i avancimit.

Nejse, ai objekt kishte qenë aty shumë moti, krahasuar me ndërtesat e reja, tipike socialiste, që u ndërtuan “mbas Bozhurit”, dhe në fakt ishte vendosur në teh të rrjedhës së “Vellushës” që kalonte bash pranë. 

E “Vellusha”, kalohej me urë, të drurit, që dinte të mbulohej me ujë kur lumi kryesisht i thatë, dilte nga shtrati për të shtuar edhe pak lloç në rrethinë.

E mu përballë urës, kjo ndërtesë pa dritare, mbuluar me “abrib”, pra fasadë me rërë ngjyrë të verdhë të mbyllur, e kishte një derë të madhe nëpër të cilën, me dashtë fort-fort, do të mund të hynte edhe kamioni i madh. Por, pos nja dy metrave të parë që mund t’i shihnim në kalim e sipër, qasjen aty e kishim të ndaluar. Tamam me na e cytë kureshtjen se a thua çfarë sekreti ruhet aty brenda.

Me t’u kthyer nga e majta prej derës së madhe, ishin nja tri-katër shkallë që hapnin shtegun drejt rrugës kryesore, e cila nuk mund të shihej, sepse pamjen ia bllokonte një çka me i thënë, kasolle jo, por njëfarë barake, ama me shumë xhama. E bri vitrinave, që nuk ishin asgjë të bukur në vete, rrinin të mbështetura me duzina, “pllakash” xhami. Sepse ishte dyqani i “Staklopanit”, i vetmi “i shtetit”, siç i thoshin, ku priteshin dritaret dhe ku mund të merrej kiti, i domosdoshëm për t’i siguruar kornizat që xhamat të mos binin. Natyrisht, paraprakisht duhej gozhduar kornizën me gozhda të vogla... me rrezikun se mund ta thyejë xhamin.

Pak hapa më tej, ka qenë “Foto Lux”, aty ku u patëm fotografuar për herë të parë për pasaportë. Fotot e fëmijëve vendoseshin në pasaportën e nënave, kryesisht, dhe nuk kishim dokumente individuale, për shkak se ishim të mitur. Ashtu së paku na thoshin. Sa kisha nisur t’i mësoja shkronjat, dhe e lexoja në shqip “x” e jo “ks”, derisa nuk më përmirësuan. Por e pyesja veten çka kishte luksoze në dyqan fotografie. Dikur më vonë do ta deshifroja domethënien e vërtetë të luksit: dritë. 

Prapa këtyre dy “objekteve të përkohshme” siç i quanin, ishte “Ekspresi”, apo “Unioni” i sotëm. Ishte pak më ndryshe sesa është sot, dhe shërbente si restorant vetëshërbim i cili përherë gufonte nga ora 9:00, kur ishte pauza e mëngjesit për të gjithë të punësuarit.

* * *

Dalja në rrugën kryesore e zbulonte objektin e teatrit, që në fakt ishte pjesa kryesore e asaj godine të verdhë pa dritare. Para shkallëve përherë do të ishte i vendosur një pllakat i madh paralajmërues i shfaqjes, kurse jo rrallë rreshti për t’i blerë biletat do të ishte i gjatë. Sa më shumë shiteshin biletat, aq më shumë reprizohej shfaqja.

Ngjitur me shallterin e biletave ishte edhe një dyqan i librave i “Rilindjes” që shumë, ama shumë shpesh na e zgjidhte problemin e lekturave shkollore që i kishim të obligueshme. Nëse libri nuk gjendej askund, aty në atë hapësirë të ngushtë, patjetër se do të kishte një ekzemplar të futur diku nën shumë libra të tjerë.

Hyrja në teatër për fëmijët ka qenë ngjarje që nuk përsëritej shpesh, kurse lotaria të binte po qe se të binte hisja të marrësh pjesë ose ta përcjellësh pasditen e Akordeve të Kosovës kushtuar këngës për fëmijë.

Ato 300 a sa ulëse ishin të mëdha për carrokët që sharronin në to, e që detyroheshin të qëndronin në këmbë po qe se donin të shihnin se çka po ndodh në skenë, e cila dukej si me qenë nja 10 metra lart. Sikur të ishte një nga ata televizorët bardhezi, por shumë më i madh dhe me ngjyra. Dhe me muret e veshura me pllaka, mbase të bykut të shtypur, me vrima. Herë të lyera bardh, herë përhimët e herë bordo... po supozoj se varësisht se kush e merrte mbi vete detyrimin për ta freskuar e pastruar objektin.

Dhe, mbase vendi më ekskluziv i teatrit, ka qenë lozha. Se aty mund të uleshin veç VIP-at e atëhershëm. Ama lezeti ka qenë me e hapë perden e plishit të rëndë e të kuq, për të parë se si dukej “toka që nuk duhej shkelur”...

* * *

Prej kohës së përshkruar më lart e deri më sot, kanë kaluar gati 60 vjet, kurse objekti është ndërtuar diku mes viteve 1948-1949, si shtëpi e kulturës, që shumë shpejt u shndërrua në Teatrin Krahinor të Kosovës, emër që mbajti një kohë të gjatë. Më 1999 u quajt Teatri Kombëtar i Kosovës.

Nuk mbaj mend se sa herë ka mundur t’i jetë nënshtruar ndonjë rehabilitimi ky objekt deri në fund të luftës. Pos ngjyrosjes, ndërrimit të ulëseve dhe rregullimit të sallës së ushtrimeve me shumë pasqyre (apo kështu më dukeshin mua) nuk di për ndonjë investim më të madh në të. E me siguri do të ketë pasur ndonjë ndërhyrje në skenë, por nuk jam e sigurt.

Ajo që dihet me siguri, hulumtuar nga redaksia e Kulturës e KOHËS, është që TKK-ja, që nga viti 2000, ka kaluar nëpër 6 renovime të natyrave të ndryshme, koston e të cilave nuk i kam të njohura. Tash është në proces të restaurimit të vëllimshëm, me ndërrim pamjeje dhe shtim hapësirash, me buxhet të kontraktuar prej 7.2 milionë eurosh. 

Pra, shumë mirë që po bëhen përpjekje për ta ruajtur dhe përmirësuar një objekt që prej kohësh është nën mbrojtjen e përkohshme të shtetit, dhe i cili për shumë kohë ka qenë i vetmi që ka shërbyer për atë që është ndërtuar: shfaqje teatri e baleti e ndonjëherë edhe koncerte. Por, është absolutisht e pakuptimtë që i gjithë rehabilitimi i këtij objekti të marrë thuajse pesë vjet. PESË, d.m.th. 

Po të kishte punime të metrosë nën këtë objekt, apo edhe restaurim arkeologjik të ekzemplarëve nga koha e Justinianit, apo ngjyrosja e afreskeve nga periudha e Leonardos sonë imagjinar do ta kuptoja se përse ekspertëve të MKRS-së iu deshën dy vjet për hulumtime e analiza.

Teatri u mbyll në qershor të vitit 2022. Ishte vendosur që punimet të nisnin në mars të viti 2024, e në fakt nisën vetëm në shtator të po atij viti. Premtimi qe që teatri do të lëshohej në përdorim në shtator të vitit 2025. Pak para këtij afati na u tha se teatri do të ishte gati në qershor të vitit 2026, e në qershor na thanë se objekti do të ishte gati në qershor të vitit 2027. Kjo tash me shpresën se nuk i bie ndokujt në mend se duhet shtyrë bile dhe për nja shtatë muaj për të dalë në vitin 2028. 

* * *

Pesë, d.m.th PESË vjet për një objekt që mund t’i ketë njëmijë hajde edhe dymijë metra katrorë. Po është turp që një punë publike, sado komplikime që mund të dalin gjatë renovimit të së vjetrës, me këso kuadrature të mos përfundojë për një vit, përfshirë projektin zbatues. Plus me çmim prej shtatë milionësh. Më lirë do të dilte ndërtimi i ri, e besoj.

Rinovimi i kësaj ndërtese i ka hëngër katër vjet e gjysmë të qeverisjes gjashtëvjeçare që kësaj qeverie – shembulli më eklatant i paaftësisë së saj menaxheriale dhe të kuptuarit se prioritet i kësaj shoqërie janë edhe kultura e sidomos arsimi. Asnjëra nga to nuk zgjidhen me ndarjet e parave të gatshme të buxhetit në emër të mirëqenies sociale që zakonisht gufon në kohë zgjedhjesh.

Opera e festoi pesëvjetorin e themelimit të vet, ani që ishte themeluar edhe nja dy herë para kësaj të vitit 2021, në një lokal “in” për dasma e ahengje. Pas koncertit, shkrova në FB: “Në një sallë me akustikë të keqe - tamam pasqyrim i Kosovës së improvizimeve. Mëkat për gjithë ata instrumentistë të rinj e shumë premtues që rritën e vet profesionale në liri e realizojnë në kushte të luftës duke u endur prej një salle të papërshtatshme në tjetrën. Elbenita Kajtazi, faleminderit për interpretimin e bukur dhe që nuk harron se edhe në Kosovë ka publik që ëndërron me të pa në një sallë opere përnjëmend. Uroj që për këtë të mos duhemi të presim edhe 20 vjet”.

Nëse për ndërtimin e Operës do të na shërbejë shembulli i TKK-së, atëherë Kosovës do t’i duhen nja 30 vjet për t’u bërë me të. Ndërkohë, muzikantët e rinj, do t’i plotësojnë kushtet për pensionim.

[email protected]