Kolumne

Dordoleci digjital

Shënime (me gjasë) humoristike mbi disa fenomene shoqërore.

I.

Dordoleci digjital tha: “Diaspora analfabete”. E tha këtë dordoleci digjital ndërsa po përtypte lugën e plastikës që e kishte gjetur në tavolinën e një kafehaneje të vogël në kryeqytetin e një vendi, nxënësit e të cilit në çdo listë të PISA-s përfundojnë ose të fundit, ose të parafundit.

Gjatë fundjavës dordolecin digjital mund ta shohim duke shëtitur rrugëve të Zürichut, Baselit apo Gjenevës, i rrethuar nga kushërinjtë, prej të cilëve pret t’ia plotësojnë të gjitha dëshirat, prej drekës e darkës te garderoba, pastaj edhe ca para për ndonjë udhëtim turistik.

Sapo të ndahet nga kushërinjtë, dordoleci digjital do të tentojë të takojë ndonjë nga biznesmenët e diasporës për t’ia kërkuar ndonjë shumë parash. Mandej dordoleci do të shkojë në darkë te një katundar i tij, i cili ka restorant në Zürich, Basel a Gjenevë. Kuptohet, edhe këtu pret të hajë e të pijë pa para, shoqëruar edhe me ndonjë shishe vere të shtrenjtë, të cilën, ndërsa e teston, bën poza si njohës i thellë i llojeve të rrushit, thua ti se sapo ka ardhur nga akademia e somelierëve të Parisit. Ky është dordoleci digjital, ky që thotë: “Diaspora analfabete”.

II.

Dordoleci digjital i diasporës e nisi ditën duke shikuar emisione të mëngjesit në televizionet e Kosovës. Atij i intereson shumë politika, jo ajo zvicerane, vetëm kosovare. Po e pyete sa ministra ka Zvicra, dordoleci digjital i diasporës thotë: “20”. Ndonëse e ka marrë shtetësinë zvicerane para 15 vjetësh, ai s’ka marrë pjesë kurrë as në zgjedhje, as në referendume në Zvicër. Kur pyetet kush është heroi kombëtar i Zvicrës, ai përgjigjet: “Ai bre, ai me shigjetë…”.

Pasi u “informua” mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, pasi shau, mallkoi e bërtiti kundër “gjithë këtyre budallëve që po dalin në televizor”, dordoleci digjital i diasporës shkoi në zyrën postare të vendbanimit të tij në Zvicrën qendrore. Duke pritur në radhë para sportelit, nisi të shikonte video debatesh politike në Kosovë. Pas 15 minutave i erdhi radha. Nxori një grumbull faturash të muajit dhjetor. Nxori edhe kuletën. Sigurimi shëndetësor për familjen e tij 5-anëtarëshe: 1,489 franga. Kësti i parë i tatimeve prej 9,800 frangash: 3,266 franga. Taksa vjetore për veturë: 525 franga. Fatura e rrymës: 222 franga. Telefonat mobilë: 180 franga. Interneti: 69 franga. Lizingu për veturë: 460 franga. Abonamenti mujor për transport publik: 247 franga. Qiraja: 2,500 franga. “Shuma totale: 8,958 franga”, jehoi zëri i butë i gruas që punonte në sportel.

Dordoleci digjital i diasporës i nxori nga zarfi 9,000 franga dhe pagoi; u përpoq të gëlltiste, por vuri re se i ishte tharë goja. Duke u kthyer në shtëpi, futi duart në xhepa, sepse ndërkohë kishte filluar të binte borë. Në xhepin e majtë të palltos preku një letër; e nxori për ta parë në mos ishte ndonjë faturë që kishte harruar ta paguante. Dhe vërtet po, ishte fatura për vinjetën e autostradës. 40 franga. Dordoleci digjital i diasporës vendosi të kthehej në postë. E pagoi edhe këtë faturë. Nga 9,000 franga i mbetën 2 franga. Kaloi pranë dyqanit Coop dhe bleu një shishe ujë.

III.

Dordoleci digjital u zgjua vonë nga gjumi. Telefoni i ashtuquajtur i mençur, të cilin e kishte lënë mbi komodinë, po vazhdonte të shfaqte video nga një aplikacion kinez. Humor të nivelit të kafehaneve ballkanike, deklarata politikanësh, brohoritje aktivistësh partiakë. Dordoleci digjital shikoi nga dritarja, iu duk se ajri nuk ishte aq toksik sa dje. Kapi telefonin, shkroi një analizë të sertë prej dy rreshtash dhe mori rrugën për në kafehanen ku zakonisht e pi kafenë e mëngjesit. Por duke shkuar në kafehane, i ndodhi një qeder. Ndërsa po shikonte syhapur telefonin për të zbuluar se cilat media tashmë ia kanë botuar atë analizën e sertë me dy rreshta, zuri në thua dhe ra triumfalisht në një kontejner bërlloku të mbushur plot e përplot. Duke turfulluar doli nga kontejneri. Kur arriti në kafehane, kamerieri i tha: “Paske pirë shumë jogurt sot”. Dordoleci digjital u habit, pastaj nxori telefonin, shikoi veten dhe çfarë të shihte: në kontejner kishte rënë në një tas jogurti.

IV.

Dordoleci digjital i këqyri disa kanale në televizor, në YouTube dhe në një aplikacion kinez. Mësoi aq shumë, saqë e pa të nevojshme që, para se të fle, të njoftojë popullin me zbulimet më të reja. Isaac Newtonit nuk i ka ra molla në prehër, por Newtoni u ngjit në degë dhe e mori mollën. Neil Armstrongu nuk ka zbarkuar në hënë, por në kodrën e Lubotenit. Kleopatra nuk ishte nga Egjipti, por nga Kurveleshi. Toka nuk është e rrumbullakët, por e rrafshët. Lumturia është relative dhe Albert Einsteini ishte shofer kamioni në Kukës. Koka e Ali Pashë Tepelenës nuk shkoi në Stamboll, sepse Sulltani erdhi në Tepelenë tek Uji Ftohtë. Gjergj Kastrioti do të ishte hero edhe më i madh nëse kali i tij nuk do të ishte i racës arabe. Ludwig van Beethoveni ishte aq i shurdhër, saqë tërë jetën mendoi se po pikturonte. Njeriu nuk ka zbarkuar në hënë... ah këtë tashmë e tregoi dordoleci digjital... Dhe kështu me radhë… Dordoleci digjital edhe kësaj radhe mësoi shumë…

V.

Dordoleci digjital u gëzua shumë. Një organizatë joqeveritare ndërkombëtare i kishte dërguar një ftesë për të marrë pjesë në një debat me titullin: “Ballkani, dje, sot, nesër (dhe eventualisht pasnesër): sfidat dhe qorrsokakët”. Debati do të mbahej në një vilë në malet e Bavarisë, mbi liqenin e Starnbergut. Kishte kohë që ftesat e tilla po i mungonin dordolecit digjital. Që nga paslufta kishte punuar “konsulent” për zyra agjencish ndërkombëtare në Prishtinë. Kishte shkruar raporte. Me krejt takatin modest intelektual përqeshte bashkëkombësit e tij kinse jotolerantë, patriarkalë, të prapambetur dhe e dorëzonte raportin me një krenari, të cilën e shquante duke u ngrefosur, krekosur dhe kapardisur. Tak raporti, tak honorari. Mendime të blera me honorar. Asgjë nuk e shpjegon më qartë metamorfozën e dordolecit digjital sesa qëndrimi i tij ndaj zhvillimeve politike në Amerikë: kur ishin demokratët në pushtet, dordoleci digjital e mallkonte Trumpin. Kur Trumpi fitoi mandatin e dytë, dordoleci digjital u bë trumpist dhe nuk flet më për të drejtat e pakicave të margjinalizuara. Dordoleci digjital e ndërron gëzofin sipas motit politik. Tani ai i gëzohet pjesëmarrjes në konferencën treditore të Starnbergut. Dhe sidomos honorarit.