Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ushqyerja në mënyrë të shëndetshme ul rrezikun nga zhvillimi i demencës

Ushqimi i shëndetshëm

Ushqimi i shëndetshëm

Një studim i ri sugjeron se ushqyerja me pak ushqime që nxisin inflamacionin mund të ulë rrezikun e zhvillimit të demencës, madje edhe te personat që kanë shenja të hershme biologjike të sëmundjes së Alzheimerit, ka shkruar CNN.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “JAMA Network Open”, ka ndjekur më shumë se 1.800 persona mbi 60 vjeç në Suedi, të cilët nuk kishin shenja të demencës në fillim të hulumtimit. Gjatë një periudhe deri në 15 vjet, 240 prej tyre u diagnostikuan me demencë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ekspertja e CNN për shëndetin, mjekja Leana Wen, ka shpjeguar se studiuesit zbuluan se njerëzit që ndiqnin një regjim ushqimor me potencial më të ulët inflamator kishin më pak gjasa të zhvillonin demencë.

“Te personat me nivele të larta të biomarkerit p-tau217, i lidhur me sëmundjen e Alzheimerit, ndjekja e një diete anti-inflamatore u shoqërua me një rrezik 29 për qind më të ulët për zhvillimin e demencës”, ka thënë ajo.

Sipas Wen, nuk ekziston një dietë zyrtare që quhet “anti-inflamatore”, por ky term i referohet një mënyre ushqyerjeje që ndihmon në uljen e inflamacionit kronik në organizëm.

Kjo përfshin konsumimin e më shumë perimeve dhe frutave, bishtajoreve, arrave dhe farave, drithërave të plota dhe kufizimin e ushqimeve të përpunuara, pijeve me shumë sheqer e mishit të kuq.

Ajo ka theksuar se kjo mënyrë ushqyerjeje është shumë e ngjashme me dietën mesdhetare.

Wen ka shpjeguar se inflamacioni është një reagim normal i organizmit ndaj infeksioneve ose dëmtimeve, por kur ai vazhdon për vite me radhë mund t'i dëmtojë enët e gjakut dhe qelizat nervore të trurit, duke kontribuar në rënien e kujtesës dhe funksioneve njohëse.

Megjithatë, ajo paralajmëroi se ky studim nuk provon se dieta e parandalon demencën.

“Ky ishte një studim vëzhgues, ndaj nuk mund të thuhet me siguri se dieta e pengoi zhvillimin e demencës. Megjithatë, është një studim cilësor që na kujton se duhet të përqendrohemi te faktorët që mund t’i ndryshojmë. Moshën dhe gjenet nuk mund t’i ndryshojmë, por zgjedhjet tona të përditshme po”, ka thënë ajo.

Përveç ushqyerjes së shëndetshme, Wen rekomandon aktivitet të rregullt fizik, kontrollin e tensionit të gjakut, nivelin e yndyrës së dëmshme në gjak dhe diabetit, shmangien e duhanit, kufizimin e alkoolit, gjumë të mjaftueshëm dhe mbajtjen aktive të trurit përmes mësimit të gjërave të reja, leximit dhe angazhimit në aktivitete shoqërore.

Ajo ka shtuar se një regjim ushqimor anti-inflamator lidhet edhe me rrezik më të ulët për sëmundjet e zemrës, sulmin në tru, diabetin e tipit 2 dhe disa lloje kanceri.

“Nuk ka një ‘superushqim’ që mbron trurin. Ajo që ka më shumë rëndësi është mënyra e përgjithshme e të ushqyerit. Ndryshimet e vogla, por të qëndrueshme, si konsumimi i më shumë perimeve dhe drithërave të plota, zëvendësimi i ushqimeve të përpunuara me fruta ose arra dhe pirja e ujit në vend të pijeve me sheqer, japin përfitime të mëdha me kalimin e kohës”, ka thënë ajo.