Ndërmarrja Publike “Prishtina Parking” ka nisur ekzekutimin e pagave për punëtorët, ka njoftuar ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes, Milot Mahmutaj, raportoi EO.
Pas protestës së punëtorëve të martën për shkak të vonesës së pagës, Mahmutaj ka njoftuar se procesi i ekzekutimit të pagave ka filluar dhe se ato do të kalojnë në llogaritë e tyre pasi të përpunohen nga bankat.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Po siç e dini qysh kemi probleme financiare ne si një vit e gjysmë, që kjo është problemi që ka ndodhë. Ne sot veç ka filluar procesi i ekzekutimit të pagave, e tash deri sa të procesohen. Kemi komunikuar edhe me sindikatën edhe jemi marrë vesh që sot dalin pagat, qysh të janë mundësitë”, ka thënë Mahmutaj.
Ai shtoi se do të angazhohet për tejkalimin e situatës, ndërsa problemet financiare i lidhi me vendimin e Gjykatës Themelore që ka shfuqizuar disa pika të rregullores.
“Unë jam ushtrues detyre që pesë ditë edhe kjo është gjendja. Unë do të mundohem sa të mundem, sa të kam mundësi. Po këto shkaktarët janë siç dihet, vendimi i Gjykatës Themelore. I ka shfuqizuar disa pika edhe tash deri sa të rregullohet rregullorja e re do të ketë kështu probleme. Po sot ka nis ekzekutimi, tash deri sa të procesohen nëpër banka”, tha Mahmutaj.
Më herët gjatë ditës, një pjesë e punëtorëve të “Prishtina Parking” protestuan duke kërkuar ekzekutimin e pagave, ndërsa Sindikata paralajmëroi se do të ndërmarrë masa të tjera sindikale nëse vonesat në paga vazhdojnë. Nga mosrealizimi i pagave janë prekur rreth 200 punëtorë të kësaj ndërmarrjeje.
Punëtorët e "Prishtina Parking" protestojnë për vonesën e pagave, kërkojnë zgjidhje nga Rama
Punëtorët e ndërmarrjes "Prishtina Parking" kanë protestuar të martën lidhur me mosdhënien dhe vonesën e pagave.
Ata kërkuan pagën e muajit qershorit dhe 70 përqindëshin e pagës të asaj të gushtit të vitit 2025. Sipas tyre, nëse pagat nuk do të ekzekutohen para datës 5, do të protestohet çdo muaj, raportoi KosovaPress.
Kryetari i sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, Flamur Hajdari kërkoi zgjidhje edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke shtuar se nuk është kjo hera e parë që kanë probleme me paga.
"Arsyeja pse jemi mbledhur sot është se paga që është dashur të ekzekutohet nuk është ekzekutuar ende. Është data 7 sot, me kontratë kemi të drejtë deri më datë 5 të presim. Pas datës 5 ende nuk është ekzekutuar. Nuk janë të gjithë, se disa i kemi lënë nëpër pika për shkak që mos të neglizhohet e gjithë puna, por sidoqoftë po presim sot gjatë ditës të ekzekutohen. Qëllimi ynë është që t'i bëjmë thirrje edhe kryetarit, z.Përparim Ramës, që le të reflekton diçka ndaj ndërmarrjes sonë... boll jemi në krizë. Nuk është hera e parë që kemi telashe për paga, por thuajse çdo muaj po e pret, a po del, a nuk po del", tha Hajdari.
Ndërsa anëtari i kësaj sindikate, Safet Zuka tha se kjo protestë ka qenë e paralajmëruar.
"Ne kemi pasur takime të rregullta me sindikatë... me ndërmarrjen gjatë gjithë kohës. Edhe i kemi paralajmëruar, i kemi dhënë një lloj ultimatumi që në qoftë se ndalet rroga, nuk del në kohën e caktuar, ne do të ndërmarrim atë që jemi duke e bërë këtë tash", tha Zuka.
Punëtorët u shprehën të indinjuar pasi sipas tyre, ky problem po përsëritet dhe nuk po gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për pagat.