Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Matt Damon thotë se xhirimet e filmit “The Oddysey” ishin jashtëzakonisht sfiduese

Matt Damon

Matt Damon

Aktori Matt Damon ka thënë se xhirimet e filmit të shumëpritur “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, ishin aq sfiduese sa, sipas tij, dukej sikur po realizoheshin “gjashtë ose shtatë filma në një”.

Filmi, i bazuar në poemën epike të Homerit, u xhirua në vende të ndryshme, gjë që e bëri procesin jashtëzakonisht të ndërlikuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“U ndjeva sikur po bënim gjashtë ose shtatë filma në një. Në një farë mënyre, ashtu ishte. Çdo vendxhirim ishte jashtëzakonisht sfidues, por secili në një mënyrë krejt tjetër. Madje, një muaj pasi nisëm xhirimet, i thashë Emma Thomas: ‘Falë Zotit që nuk jam producent’”, ka thënë Damon për Variety.

Aktori ka shtuar se ky rol është ndër më të rëndësishmit në karrierën e tij.

“Kam ende një ndjenjë të madhe mirënjohjeje. Ky rol renditet në krye, sepse sfidat teknike për ta realizuar këtë film në një shkallë kaq të madhe ishin përtej çdo gjëje që kam parë ndonjëherë”, ka thënë ai.

Edhe bashkëaktori i filmit, Robert Pattinson pati fjalë vlerësuese për Nolanin.

“Ai arrin të realizojë projekte gjigante, por nuk duket kurrë i stresuar. Gjithçka është gjithmonë e organizuar në mënyrë të përkryer dhe me nivelin më të lartë të ambicies. Është kënaqësi të punosh me të”, ka thënë ai.

Në një intervistë të mëparshme për Collider, Damon ka thënë se ishte i mahnitur nga mënyra se si Nolan ndërtoi botën e filmit.

“Nuk e di si ia doli. Kërkonte një vizion të jashtëzakonshëm për të krijuar këtë botë. Çdo detaj, nga kostumet te pamja e personazheve, ishte menduar me kujdes për ta bërë këtë univers sa më të besueshëm”, pati thënë Damon.

Filmi u xhirua me një kamerë të re IMAX, e cila përdorte një sistem të veçantë pasqyrash. Damon ka pranuar se kjo ishte një sfidë e re për aktorët.

“Ishte shumë interesante. Pyetja më e madhe ishte nëse sistemi me pasqyra do të funksiononte pa ndikuar në cilësinë e imazhit”, ka thënë ai.

“The Odyssey” do të nisë shfaqjen në kinema më 17 korrik.