Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Zyrtare, UEFA dënon rëndë FFK-në

Kosova - Rumania

Ashtu si pritej, UEFA e ka dënuar rëndë Federatën e Futbollit të Kosovës për incidentet e shumta gjatë ndeshjes me Rumaninë, muajin e kaluar.

FFK-ja është gjobitur me plot 61 mijë euro për shkelje të ndryshme e të shumta gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve të UEFA-s. Ndeshja ishte zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Hyrja e shikuesve të shumtë në fushë, hedhja e gjësendeve në fushën e lojës, ndezja e fishekzjarrëve, fishkëllimat gjatë himnit të Rumanisë, bllokimi i rrugëve publike, ishin prej shkeljeve të regjistruara në ndeshjen që Rumania e fitoi 3:0.

Për hyrjen e shikuesve në fushë, përkatësisht për pushtim të fushës, FFK-ja është gjobitur me plot 10 mijë euro. Për hedhje të gjësendeve, FFK-ja do të paguaj në UEFA 22 mijë euro.

Për fishekzjarrë të ndezur, buxheti i FFK-së do të pakësohet për 6000 euro. Për shkak të fishkëllimave të tifozëve gjatë intonimit të himnit të Rumanisë, Federata e Futbollit e Kosovës do të paguaj dënim prej plot 15 mijë euro. Ndërsa për bllokim të rrugëve publike, përkatësisht për qëndrimin e shikuesve në pjesën e tribunave të destinuara për lëvizjen e tyre, FFK-ja do të paguajë 8000 euro.

Pas ndeshjes, nga përfaqësuesja e Kosovës nuk ishin respektuar obligimet për deklarim për media. Selektori Franco Foda nuk doli në konferencë për shtyp, ndërsa i vetmi që foli, madje vetëm për dy mediume, ishte kapiteni Amir Rrahmani. Dhe për mosrespektim të aktiviteteve mediatike, UEFA ia ka tërhequr vërejtjen FFK-së. Paraqitja e selektorit në konferencë është obligative e po ashtu deklarimi i lojtarëve në zonën miks.

Edhe FCSB gjobitet nga UEFA dhe do të jetë nën vëzhgim për ndeshjen me Dritën Futboll FCSB gjobitet nga UEFA dhe do të jetë nën vëzhgim për ndeshjen me Dritën

Jo rrallë Federata e Futbollit e Kosovës dënohet për sjellje të pakontrolluara të shikuesve, por edhe lëshime të saj. Megjitahtë në ndeshjen e 6 shtatorit shkeljet dolën plotësisht jashtë kontrolli. Në fushën e lojës, si asnjëherë më parë, janë futur shumë shikues. Kjo solli ndërprerjen e lojës në të paktën tri raste.

Dhe tani FFK-ja duhet të paguaj gjobë të majme për këtë shkelje dhe shkelje të tjera.