Kampioni i Rumanisë në futboll, FSCB, është gjobitur me 27 mijë euro nga UEFA pas incidenteve në ndeshjen e kthimit kundër Shkëndijës, e luajtur më 30 gusht në “Arenën Kombëtare” në Bukuresht.
Kështu ka njoftuar të martën mediumi rumun “Nacional”. UEFA ende nuk ka publikuar vendimin, por mediumi rumun ka raportuar se FCSB është gjobitur për shkak të hedhjeve të gjësendeve në fushë nga përkrahësit e ekipit rumun.
FCSB u eliminua nga Shkëndija në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
“Momenti kyç ishte në minutën e 89-të, kur Tama po zëvendësohej dhe po largohej nga vija anësore, në afërsi të zonës së dytë të tribunës. Të zemëruar nga rezultati, tifozët e SCSB reaguan dhunshëm dhe hodhën gota dhe sende të tjera nën drejtim të tij”, shkruan mediumi rumun.
Tutje “Nacional” ka raportuar se FCSB do të jetë nën monitorim nga UEFA në ndeshjen me Dritën.
Ndeshja e parë zhvillohet të enjten nga ora 20:30, në “Arena Nationala”, në Bukuresht. Ndeshja e së enjtes dhe ajo e 14 gushtit në “Fadil Vokrri” i takojnë raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës, që është niveli i dytë i garave kontinentale për klube të futbollit.
“UEFA mori parasysh sjelljen e publikut dhe zbatoi sanksionin. Forumi evropian do të monitorojë nga afër ndeshjen e radhës të kampionit rumun kundër Dritës, një ekip nga Kosova. Ndeshja ka një shkallë të lartë rreziku, duke marrë parasysh kontekstin politik dhe precedentët e tensionuar midis tifozëve rumunë dhe ekipeve nga Kosova”, shkruan “Nacional”, duke përshkruar incidentin e vjeshtës së vitit 2024 në ndeshjen Rumani – Kosovë, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Ndeshja e 15 nëntorit të vitit të kaluar, e zhvilluar në Bukuresht, ishte ndërprerë në minutat e fundit. Fillimisht lojtarët patën përplasje në fushë e ndërkohë nga tribunat u dëgjuan thirrje “Serbia, Serbia”. Në shenjë revolte, lojtarët e Kosovës lëshuan fushën dhe refuzuan të kthehen edhe kur këtë ua kërkoi arbitri.
Dhe Gjykata e Arbitrazhit sportiv vërtetoi atë që e kishte vendosur UEFA. Fitorja i takoi Rumanisë me rezultat zyrtar 3:0, ndërsa rumunët u dënuan me 128 mijë euro për shkeljet e bëra.