Futboll

Te FCSB thonë se çështja e fituesit nuk do të zgjidhet në Bukuresht

fcsb

Trajneri i FCSB-së, Elias Charalambous, ka thënë se çështja e fituesit nuk do të zgjidhet në Bukuresht. Ai ka theksuar se Drita është skuadër e organizuar.

Ndeshja FCSB – Drita zhvillohet të enjten nga ora 20:00 në Bukuresht dhe i takon raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Ndeshja kthyese në Prishtinë luhet pas një jave.

“Është shumë e rëndësishme që klubi të bëjë mirë, siç bëmë vitin e kaluar, kur treguam se mund të konkurrojmë me më të mirët. Drita është një kundërshtar shumë i organizuar mirë, por varet vetëm nga ne. Duhet të luajmë lojën tonë më të mirë. Nesër është vetëm pjesa e parë, pjesa e dytë javën tjetër”, ka thënë Charalambous të mërkurën.

Ai ka shtuar se ekipi tij duhet të jetë i freskët për të dalë fitues.

“Duhet të jemi me humor të mirë. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të jemi pozitivë, nuk mund të fitosh gjithmonë në futboll. Ka surpriza, por ne nuk dorëzohemi, edhe nëse kemi një ndeshje të vështirë”, është shprehur ai.

Kampioni i Rumanisë në futboll, FSCB, është në krizë rezultatesh. Klubi nga Bukureshti i ka humbur katër ndeshjet e fundit. Seria e humbjeve nisi më 22 korrik në Shkup, kur u mposht nga Shkëndija e Tetovës me rezultatin 1:0. Më pas më 26 korrik, FCSB-ja u mposht në shtëpi nga Farul Constanta në kuadër të kampionatit rumun. Shkëndija fitoi edhe në Bukuresht më 30 korrik, 2:1, për të siguruar kualifikimin në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndërkohë FCSB-ja humbi edhe të shtunën në derbin rumun ndaj Dinamo Bukureshtit, 4:3.

Trajneri i FCSB-së ka folur edhe për mungesat që do t’i ketë në ndeshjen ndaj Dritës. Një prej mungesave është edhe sulmuesi Denis Alibec. FCSB-së shkau lëndimit i mungojnë edhe Darius Olaru, Florin Tanase, Siyabonga Ngezanaulluar dhe Joyskim Dawa. Rumunëve u kthehet Valentin Cretu. 

“Kemi probleme me Denis Alibec, i cili nuk është i gatshëm, nuk do të jetë në gjendje të luajë, por Vali Cretu është mirë. Nëse Denis do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale tani, do ta diskutojmë këtë me mjekun, po presim një përgjigje prej tij. Lidhur me Olaru, shpresojmë që ai të jetë me ne sa më shpejt të jetë e mundur”, tha trajneri i kuqebluve.

Alibec pati një përplasjeje në fushë me kapitenin e Kosovës, Amir Rrahmani në ndeshjen Rumani – Kosovë e luajtur në nëntor të vitit të kaluar. Më pas u përfshinë shumica e lojtarëve, ndërkohë që në tribuna kishte thirrje “Serbia, Serbia”. Pas thirrjeve, lojtarët e Kosovës u tërhoqën nga fusha dhe refuzuan të kthehen për të vazhduar ndeshjen. UEFA dhe më vonë edhe CAS-i ia dhanë fitoren Rumanisë me rezultat zyrtar, 3:0. Federata e Futbollit e Rumanisë u dënua me 128 mijë euro. Federata e Futbollit e Kosovës u dënua me gjashtë mijë euro.