Futboll

Zhegrova: Përfaqësoj gjithë shqiptarët dhe jam krenar

Edon Zhegrova

 Futbollisti i Kosovës, Edon Zhegrova, u paraqit për herë të parë në konferencë për media si futbollist i Juventusit. Në paraqitjen e tij të parë para gazetarëve, Zhegrova tha se i përfaqëson të gjithë shqiptarët.

“Kryeministri i Shqipërisë është mbështetës i madh i Juventusit, kështu që ishte shumë i lumtur dhe krenar. Ai më ndihmoi shumë me këtë dhe jam vërtet mirënjohës. Ai ma dha këtë pasaportë, sepse unë përfaqësoj gjithë komunitetin shqiptar dhe jam krenar për këtë”, ka thënë Zhegrova.

Në fund të muajit gusht Zhegrova u pajis me pasaportë të Shqipërisë, derisa transferimin te Juventusi e kompletoi në fillim të këtij muaji.

Pajisja me pasaportë shqiptare ia lehtësoi kalimin Zhegrovës te Juventusi.

Në mars të vitin të kaluar, Federata e Futbollit e Italisë mori vendim që futbollistët shqiptarë të konsiderohen si komunitarë në Itali. 

Ai ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e ekipit për ndeshjen derbi kundër Interit.

Juventusi e luan të shtunën derbin e javës së tretë të kampionatit italian kundër Interit.

“Kam folur me trajnerin për këtë, por nuk do të luaj ende. E di sa e rëndësishme është kjo ndeshje, janë dy klube të shkëlqyera, por unë do t’i jap mbështetjen time ekipit”, ka thënë Zhegrova.

Ai ka folur edhe për mungesën e gjatë shkaku lëndimit. Ai për shkak të lëndimit nuk ka luajtur nga 14 dhjetori i vitit të kaluar. 

“Fizikisht kam pasur një periudhë mjaft të vështirë, por tani ndihem më mirë. Kam filluar përsëri stërvitjen. Stafi po punon shumë për të më ndihmuar. Mendoj se do të jem gati dhe do të kthehem në fushë shumë shpejt”, ka shtuar Zhegrova.

Edon Zhegrova ishte në mesin e lojtarëve të ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, për ndeshjet kundër Zvicrës dhe Suedisë. Por Zhegrova u la i lirë pas transferimit te Juventusi. Ai së fundi ka shfaqur cilësitë e tij në stërvitje. Pamjet u publikuan nga klubi italian, Juventus.

Zhegrova ka folur po ashtu edhe për synimet me Juventusin

“Mendoj se kjo skuadër ka shumë cilësi. Ata duan të fitojnë çdo ndeshje dhe ky është vetëm fillimi i kampionatit. Do të përpiqemi të fitojmë çdo ndeshje, por duhet të marrim ndeshjet një nga një”, thotë ai.

26-vjeçari nënshkroi kontratë me Juventusin deri më 30 qershor të vitit 2030.

“Gjithmonë kam dashur të luaj për klube të mëdha. Që nga hera e parë që fola me Comollin dhe Chiellinin, u emocionova kur dëgjova për interesimin e tyre. Ishte si një ëndërr e bërë realitet. Jam veçanërisht krenar dhe i lumtur që jam pjesë e këtij klubi”, ka thënë Zhegrova.

Ai mezi pret debutimin me Juventusin.

“Kur luajta kundër Juventusit, ishte një ndeshje e shkëlqyer dhe ishte një mundësi e shkëlqyer për ne që të tregonim veten. Tani që ajo epokë ka mbaruar, jam shumë i lumtur që jam këtu dhe të gjithë po e bëjnë më të lehtë ardhjen time. Mezi pres të luaj me ekipin”, thotë ai.

Zhegrova shquhet për driblime dhe veprimet e bukura individuale që janë gjithnjë e më të rralla në futboll. 

Zakonisht lëviz nga e djathta drejt mesit të fushës dhe përfundon aksionet me këmbën e majtë. Shpesh i përfundon me goditje mjeshtërore që jo rrallë gjejnë cakun. Rolin e tij te Juventusi nuk e di ende. Por ai premton maksimumin kudo që trajneri e vendos në fushë.

“Të martën fillova përgatitjet, sepse duhej të merrja të gjitha dokumentet. Fola me trajnerin dhe do të shohim se ku dëshiron ai që unë të luaj”, ka thënë Zhegrova.

Ai ka folur edhe për nofkën e tij “Luani”.

“Kjo nofkë ma përfaqëson mbi të gjitha mentalitetin”, ka thënë Zhegrova.