Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Ylli sllovak me shumë respekt për Kosovën: Luajti në grup të vështirë

haras

Lukash Haraslin është prej lojtarëve të rëndësishëm të Sllovakisë. Ai është kapiten i skuadrës çeke Sparta Pragës, ndërsa ndaj Kosovës mund ta zhvillojë ndeshjen e 50-të me Sllovakinë.

Sulmuesi 29-vjeçar ka dhënë një intervistë të hënën për faqën zyrtare të Federatës së Futbollit të Sllovakisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Haraslin ka folur me shumë respekt për Kosovën dhe të arriturat e saj.

“Përballemi me kundërshtar të vështirë, të papërshtatshëm dhe kërkues. E kemi parë se në çfarë grupi të fortë luajti Kosova. Ia doli të fitojë ndaj kundërshtarëve të vështirë në Ligën e Kombeve. Lojtarët e saj janë në formë të shkëlqyer. Për këtë arsye do të jetë ndeshje e vështirë. Megjithatë pres se do të përgatitemi mirë për kundërshtarin  dhe do ta përballojmë ndeshjen e parë. Kjo është e rëndësishme. Do të bëjmë çdo gjë për të arritur në kampionat”, ka thënë Haraslin.

Ai nuk ka parashikuar nëse Kosova do të luajë lojë të hapur. Ka thënë se fakti që është vetëm një ndeshje e bënë më direkte.

“Po të ishte në shtëpi e udhëtim, ndoshta do të ishte më taktike. Ndeshja fillon 0:0 dhe mund të zgjasë 90 apo 120 minuta. Për këtë arsye fokusohemi vetëm në këtë ndeshje dhe mendoj se duhet të përgatitemi mirë. Nuk mund të shikojmë se çka do të ndodhë në një javë, por çka do të ndodhë të enjten. Trajnerët përfundimisht do të na përgatisin mirë për lojë”, ka theksuar Haraslin.

Te Sparta, ai është kapiten i Albion Rrahmanit, sulmuesit të Kosovës. Në elitën çeke, Haraslin i ka dhjetë gola e Rrahmani nëntë.

Sllovaku ka folur edhe për Rrahmanin dhe raportin me të.

“Kemi raport të mirë, luajmë së bashku në sulm. Jemi të afërt në fushë. Jam i lumtur që kemi ndihmuar ekipin me gola, ndonëse nuk jemi paraqitur mirë së fundi. Ai më ngacmoi duke thënë se do të donte të luante në anën e djathtë të mbrojtjes së Kosovës në mënyrë që të më ruante mua. Sigurisht, po bënte shaka. Ai luan për Kosovën, unë për Sllovakinë. Këtë herë do të jemi kundërshtarë. Secili do të luftojë për vendin e tij. Do të shohim kush do të dal fitues. Basti nuk është vënë ende, ndoshta do të ketë një të tillë në ditët e ardhshme”, ka theksuar Haraslin.

Ai vlerëson se përkrahja e shikuesve do të jetë e rëndësishme për Sllovakinë.

“Por do të vendoset në fushë. Do të jetë ndeshje e vështirë, por besoj se do të jetë me fund të lumtur për ne”.