Supertalenti turk, Kenan Yildiz, është afër që ta vazhdojë kontratën me skuadrën e Juventusit.
Mediumet italiane kanë shkruar të martën se negociatat për vazhdimin e kontratës, mes drejtuesve të Juves dhe menaxherit të Yildizit kanë avancuar në fazën përfundimtare.
20-vjeçari me kontratën e re do të mbetet pjesë e “Zonjës së Vjetër” deri në verën e vitit 2031. Kontrata aktuale i skadon në vitin 2029.
Yildiz do të ketë edhe rritje të dukshme të pagës. Aktualisht i fiton 1.5 milionë euro në vit. Me kontratën e re ai do t’i fitojë rreth 6 milionë euro. Pritet të bëhet edhe lojtari më i paguar në klub.
Sulmuesi i krahut pjesë e skuadrës së parë të Juves është nga viti 2023.
Yildiz është sulmuesi kryesor i gjigantit italian.
Këtë edicion në 29 ndeshjet e zhvilluara në të gjitha garat ka shënuar nëntë gola dhe ka bërë tetë asistime.