Futboll

Xhaka thotë se ndeshjet me Kosovën janë gjithnjë të veçanta

Granit Xhaka

Foto: Toto Marti

Granit Xhaka ka shkëlqyer në fitoren 4:0 të Zvicrës ndaj Kosovës. Mesfusha ishte e Xhakës, ndërsa ai vlerëson se fitorja është dashur të jetë më e thellë për një apo dy gola. 

“E kemi parë Zvicrën e vërtetë në pjesën e parë”, ka thënë Xhaka, duke u përgjigjur në pyetjen se ka pasur shumë të tillë që kanë vlerësuar se Zvicra nuk e ka forcën e njëjtë më.

Zvicra ka shënuar fitoren e parë ndaj Kosovës, pas tri barazimeve. Xhaka, sipas “Blick”, në të kaluarën është përballur me kritika që nuk ka luajtur me gjithë potencialin e tij.

“Natyrisht, të luaj ndaj Kosovës do të jetë gjithnjë e veçantë për mua për shkak të historisë së familjes. Por jam munduar ta lë anash këtë në këtë ndeshje”, ka thënë Xhaka.

Ai është i kënaqur me përgatitjet që janë bërë para ndeshjes me Kosovën.

“Kemi pasur një takim para stërvitjes së parë dhe qartë kemi thënë se nuk ka kohë për të humbur, nuk ka arsyetime dhe se të gjithë duhet të shfaqemi tani”.

Synimi i Zvicrës mbetet kualifikimi në Botëror. 

“E dimë që nuk kemi luajtur aq sa kemi potencial në muajt e kaluar. Por me këtë fitore plotësisht të merituar, mund të vazhdojmë rrugën drejt SHBA-së”, ka thënë Xhaka.