Sulmuesi kosovar, Shkëlqim Vladi ka ndryshuar skuadër, por brenda Superligës së Zvicrës.
Vladi të martën është huazuar nga Lugano te skuadra e St. Gallenit. Huazimi është i vlefshëm deri në fund të edicionit 2025/2026.
I pakënaqur me hapësirën në edicionin e kaluar dhe pasi kuptoi se nuk do të ketë hapësirë më shumë as në edicionin e ri, Vladi ka kërkuar kalimin te një skuadër tjetër. Në kontratën e huazimit të 24-vjeçarit është përfshirë opsioni për blerjen e kartonit të tij në fund të edicionit.
Vladi është zhvilluar tek Young Boysi. Kishte periudha huazimi tek Yverdoni dhe Aarau, ndërsa u transferua te Lugano në vitin 2023. Me Luganon i ka shënuar 16 gola dhe bëri shtatë asistime në 76 paraqitje. Tek Aarau ka 19 gola e katër asistime në 36 ndeshje, ndërsa me Yverdonin kishte tri gola e dy asistime në 21 paraqitje.
Vladi në Superligën zvicerane ka 55 ndeshje, dhjetë gola e katër asistime. Në kategorinë e dytë zvicerane ka 53 ndeshje, 21 gola e pesë asistime.
Ai me Luganon ka kontratë edhe dy vjet.
Edhe
Vladi synon Superligën e Zvicrës me Aaraun
“Kemi qenë të interesuar për Shkëlqimin për një kohë. Kështu që jemi shumë të lumtur që ai bashkohet me ne. Ai është sulmues me goditje të fortë e të rrezikshme. Jemi të bindur se do të përfitojë nga stili ynë i lojës dhe që mund të kontribuojë në lojën tonë me kualitetet që i ka”, ka thënë Roger Stilz, drejtor sportiv i St. Gallenit.
Te St. Galleni janë edhe Behar Neziri, Albert Vallçi, Betim Fazliji dhe Bastien Toma. St. Galleni në xhiron e parë të Superligës së Zvicrës e befasoi kampionin Baselin duke e mposhtur 2:1. Kampionatin e kaluar e përfundoi në pozitën e tetë.