Nuk ka asnjë dilemë që 2025-ta ishte vit i futbollit, përkatësisht i përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Ka shumë arsye për këtë.
Me dy fitoret ndaj Islandës në mars, “Dardanët” avancuan nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve. Kosova për herë të parë do të garojë në Ligën B, që është niveli i dytë i Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Në vjeshtë, Kosova fitoi dy herë ndaj Suedisë, ndërsa me Slloveninë kishte një fitore e një barazim. Barazim i mori edhe Zvicrës dhe falë 11 pikëve përfundoi e dyta në Grupin B të kualifikimeve të rregullta për Kupën e Botës 2026.
Ishte ky sukses historik, përkatësisht bindshëm më i madhi deri më tani. Kosova e siguroi paraqitjen në plejofin kualifikues për Botëror. Më 26 mars në gjysmëfinale përballet me Sllovakinë.
Vitin 2025, Kosova e nisi në pozitën e 99-të në ranglistën e FIFA-s. E përfundoi në pozitën e 80-të, që është më e mira ndonjëherë.
Dhe përparimi prej plot 19 pozitave është më i madhi që ndonjë përfaqësuese e ka bërë gjatë vitit 2025.
Shqipëria e mposhti Serbinë në Leskovc, dhe njëjtë si Kosova, ka siguruar për herë të parë plejofin për kualifikim në Botëror.
Drita e Gjilanit dhe Shkëndija e Tetovës kanë siguruar avancimin nga faza e ligës në fazën nokaut të Ligës së Konferencës.
Ka edhe plot arsye të tjera që vitin 2025 e bëjnë VIT TË FUTBOLLIT.