Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka mbyllur vitin 2024 në pozitën e 99-të në FIFA. Ranglista e FIFA-s ishte publikuar më 19 dhjetor 2024.
Në ranglistën e publikuar më 3 prill nga shtëpia botërore e futbollit, Kosova bëri përparim për dy pozita pas fitoreve ndaj Islandës në plejofin e Ligës së Kombeve.
Me fitoret ndaj Islandës, Kosova siguroi kalimin në Ligën B, që është niveli i dytë i Ligës së Kombeve. Promovimi në Ligën B është sukses historik për Kosovën.
Kosova në tri edicionet e fundit ka garuar në Ligën C të Ligës së Kombeve. Në edicionin e parë ishte madje në Ligën D. Në edicionin e ardhshëm 2026/2027 do të jetë në Ligën B.
Pas fitoreve në Ligën e Kombeve, “Dardanët” vazhduan me rezultate pozitive edhe në qershor.
Miqësoret e fituara ndaj Armenisë dhe Komoreve ia mundësuan Kosovës ngritjen edhe për dy pozita. Nga vendi i 97-të u ngrit në pozitën e 95-të në ranglistën e publikuar më 10 korrik.
Të enjten u publikua renditja e re e FIFA-s, duke u ngritur për katër pozita. Pra nga vendi i 95-të, në pozitën e 91-të.
Ndikim në ngritjen e Kosovës pati fitorja e madhe 2:0 ndaj Suedisë në “Fadil Vokrri”, më 8 shtator, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Më 5 shtator në Basel, Kosova kishte pësuar 4:0 nga Zvicra.
“Sigurisht se pozita në ranglistë është pasqyrë e formës dhe rezultatit të mirë”, ka thënë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, për KOHËN të enjten.
Humbja nga Zvicra ishte e vetmja në shtatë ndeshjet e fundit të “Dardanëve”. Pra Kosova nga shtatë ndeshjet e fundit, regjistron gjashtë fitore e një humbje.
Por fitorja e madhe ndaj Suedisë kishte vlerë shumë të madhe për Kosovën.
Me fitore, Kosova është kthyer në garë për kualifikim në Botërorin që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada.
Në grupin ku bën pjesë Kosova, pas dy ndeshjeve, Zvicra ka gjashtë pikë, ndërsa Kosova është e dyta me tri. Suedia e Sllovenia kanë nga një pikë.
“E rëndësishme është paraqitja e mirë dhe sigurisht që vjen edhe rezultati e po ashtu edhe ngritja. Unë besoj në këtë grup, në këtë ekip, në këtë kombëtare, që do të ketë suksese të shkëlqyera siç po shkëlqen secili futbollist i joni. Uroj që të mos ketë lëndime ose ndëshkime, në mënyrë që Foda dhe shtabi teknik ta kenë ekipin e kompletuar për këtë garë”, është shprehur i pari i shtëpisë së futbollit kosovar.
“Kosova do ta ketë besoj vendin e merituar në ranglistë. FIFA i bën matjet dhe renditjen në bazë të rezultateve”, ka thënë Ademi.
Më 10 tetor, Kosova pret Slloveninë në Prishtinë, ndërsa tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri” pritet të jenë të mbushura me shikues. Biletat u njoftua se u shitën për pak orë.
Më 13 tetor, Kosova e luan ndeshjen kundër Suedisë në Goteborg. Ka shpresë për fitore të tjera, pas asaj ndaj Suedisë në Prishtinë, më 8 shtator.
Rezultatet pozitive ndaj Sllovenisë dhe Suedisë do të ndikonin në ranglistën e FIFA-s. Renditja e re e FIFA-s publikohet më 23 tetor.