Futboll

Vetura përplaset në turmën e tifozëve në festën e Liverpoolit, arrestohet i dyshuari

Liverpool - parada sulmi

Foto: Associated Press

Një britanik i moshës 53-vjeçare është arrestuar të hënën pasi goditi me veturë një numër tifozësh të futbollit të Liverpoolit, të cilët po festonin titullin e kampionit të Premier Leagues, raporton agjencia “AP”.

Policia ka raportuar se ka nisur hetimet për incidentin që ndodhi gjatë paradës së Liverpoolit të hënën.

“Kërkojmë të mos spekulohet mbi rrethanat e incidentit. Mund të konfirmojmë se burri i arrestuar është një britanik 53-vjeçar nga zona e Liverpoolit. Hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar rrethanat që çuan në përplasje”, ka thënë një zëdhënës i policisë, shkruan “Sky Sports”.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se është duke marrë informata për incidentin dhe ka falënderuar policinë për reagimin e shpejtë.

“Skenat në Liverpool janë të tmerrshme. Mendimet e mia janë me të gjitha ta që janë lënduar ose prekur”, tha Stramer, shkruan AP.

Në një video që ka qarkulluar në rrjetet sociale shihet duke goditur me veturë një turmë të madhe njerëzish, duke hapur një shteg përmes turmës dhe duke shtyrë trupat përpara se të ndalej. 

47 persona kanë marrë lëndime, prej tyre 27 janë dërguar në spital. Në mesin e të lënduarve janë 4 fëmijë. 

Me deklaratë ka dalë edhe Liverpooli. 

“Mendimet dhe lutjet tona janë me ata që janë prekur nga kjo ngjarje e rëndë. Ne do të vazhdojmë t’u ofrojmë mbështetjen tona të plotë shërbimeve të emergjencës dhe autoriteteve lokale që po merren me këtë incident”, shkruan në komunikatën e Liverpoolit.

Harry Rashid, që ishte në paradë me bashkëshorten dhe dy vajza, ka thënë se vetura nisi të godiste njerëzit rreth 3 metra larg tij.

“Ishte shumë shpejt”, tha Rashid. “Shihnim njerëzit duke u përplasur nga vetura”. 

Liverpooli kishte siguruar titullin e kampionit në javë ne 34-t të Premier Leagues së Anglisë. Pas përfundimit të edicionit të dielën, skuadra festoi titullin e 20-të të kampionit në historinë e klubit me tifozët e saj në qytet të hënën. Por festa u ndërpre pas incidentit.
 


 


Pamje të rënda