Union Berlini e ka zgjedhur Marie-Louise Etan si trajneren e parë për ekipin e futbollistëve, ndërsa klubi synon mbetjen në Bundesligë.
34-vjeçarja Eta e zëvendëson Steffen Baumgartin, që u shkarkua së bashku me asistentët Danilo de Souza dhe Kevin McKenna pas humbjes 3:1 nga skuadra e vendit të fundit, Heidenheim. Kjo humbje e papritur erdhi të shtunën dhe më pas drejtuesit e klubit vendosën për ndryshim në shtabin teknik.
Eta deri më tani ka drejtuar ekipin U19 të futbollistëve, ndërsa është pajtuar më herët këtë muaj që të marr drejtimin e ekipit të futbollisteve të Unionit nga edicioni i ardhshëm. Ajo tani i ka pesë xhiro për të siguruar mbijetesën e Unionit në Bundesligën gjermane.
Eta bëri histori në vitin 2023 kur u bë asistentja e parë e një trajneri në Bundesligë dhe në pesë ligat e mëdha të futbollit evropian. Tani ka shkruar kapitull tjetër historik duke u bërë trajnerja e parë e një klubi të Bundesligës.
“Jam i lumtur që Marie Louise Eta është pajtuar të marr drejtimin e përkohshëm të ekipit, para se të bëhet trajnere e skuadrës së futbollisteve në verë, ashtu siç është planifikuar”, ka thënë drejtori sportiv i Unionit, Horst Heldt.
Eta është shprehur e gatshme për sfidën.
Edhe
Eta debuton me humbje në Bundesligë
“Një prej anëve të forta të Union Berlinit gjithnjë ishte dhe mbetet aftësia për për t’u bashkuar në situata si kjo”, ka thënë Marie-Louise Eta.
“Dallimi në pikë në pjesën e poshtme të tabelës është i vogël dhe qëndrimi në Bundesligës ende nuk është i garantuar. Jam e lumtur që klubi më ka besuar këtë sfidë. Dhe natyrisht, jam e bindur se do të marrim pikët që na duhen”, ka shtuar trajnerja e parë e një klubi të futbollistëve në ligat e mëdha evropiane.
Union Berlini është në vendin e 11-të me 32 pikë nga 29 ndeshje. Skuadra e pozitës së 16-të, që dërgon në kategorinë e dytë në fund, i ka 25 pikë. Kështu që gara vlerësohet e hapur. Eta do të debutojë më 18 prill në ndeshjen në shtëpi ndaj Wolfsburgut.