Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Vdiq Erdogan Celina, një prej ikonave të futbollit kosovar

Erdogan Celina

Të dielën në mbrëmje ka vdekur Erdogan Celina, njëri prej ikonave të futbollit kosovar. Celina ishte pjesë e gjeneratës së artë të futbollit kosovar, ndërsa me plot sukses është paraqitur për Lirinë, Trepçën dhe Prishtinën. 

Lajmin për vdekjen e tij nëpërmjet një postimi në Facebook, e ka konfirmuar edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. 

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta, pas një sëmundjeje të shkurtër, të Erdogan Celinës, një prej figurave më të shquara dhe më të respektuara të futbollit të Kosovës, një futbollist ikonë dhe një njeri i jashtëzakonshëm, që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit tonë”, ka shkruar ndër të tjera presidenti Ademi.

Celina ka luajtur si qendërmbrojtës dhe është vlerësuar jashtëzakonisht shumë për cilësitë që ka pasur. Ishte titullar në finale të Kupës Marshall Tito në vitin 1978 me Trepçën, në disfatën 1:0 nga Rijeka. Ajo finale u zhvillua në stadiumin “Marakana”, para 40 mijë tifozëve. 

Celina ishte edhe trajner i Lirisë së Prizrenit dhe ka dhënë kontribut edhe te Kosova U21. 

“Me ndarjen e Erdogan Celinës, futbolli i Kosovës humbi një prej figurave të tij ikonike, ndërsa komuniteti ynë sportiv humbi një personalitet të rrallë, një lider të një gjenerate dhe një njeri të shkëlqyer”, ka shkruar tutje Ademi.