Futboll

Valon Behrami flet për periudhën e luftës në Kosovë në librin “Ylli i Futbollit”

Valon Behrami

Më 18 gusht do të botohet libri me 256 faqe “Ylli i Futbollit”, me  autor Andreas Boni.

Në librin “Ylli i Futbollit”, shumë njerëz nga bota e futbollit hapen dhe flasin hapur për përjetimet në jetën e tyre.

Gazeta e madhe zvicerane “Blick” i ka publikuar deklaratat më të fuqishme dhe rrëqethëse të disa personaliteteve.

Njëri prej tyre që është përfshirë në librin e autorit Boni, është ish-mesfushori i Zvicrës, Valon Behrami. Boni, 43-vjeçar, me origjinë nga Zvicra Lindore, punoi në Blick për 15 vjet. Që nga viti 2023, ka qenë kryeredaktor i “Blue Sport”.

Behrami ka folur për përvojën e tij të largimit nga Kosova më 1990 dhe për atë se si futbolli i ndihmoi atij të rehatohej në Zvicër.

“Mbërritëm në Zvicër me autobusin e fundit nga Kosova kur kuptuam se nuk kishte të ardhme. Pak më vonë, filloi gjithçka. Shtëpia jonë u dogj, humbëm miq dhe të afërm, një xhaxha ishte në burg. Secili prej nesh e ka historinë e vet. Halla ime dhe një xhaxha tjetër u fshehën dhe më pas u gjetën. Ja çfarë ndodhi. Të gjitha gratë u rreshtuan në njërën anë, ndërsa burrat në anën tjetër. Dhe pastaj halla ime duhej të shikonte ndërsa burri i saj dhe të gjithë të tjerët u qëlluan. Ishte çmenduri. Pjesa më e keqe ishte pasiguria, sepse dinim shumë pak. Dhe pastaj dëgjoje në TV se kishin vdekur edhe 20 persona të tjerë. Dhe nuk e dije nëse gjyshërit e tu kishin vdekur. Nuk i kuptoja ende të gjitha, por ishte jashtëzakonisht e tmerrshme për prindërit e mi”, ka thënë Behrami, i cili luajti 83 ndeshje për ekipin e Zvicrës. Ai aktualisht punon si drejtor sportiv në Watford.

Behami ka bërë karrierë të madhe si lojtar.

Shquhej për angazhimin e madh në mesin e fushës dhe për vrapimet e vazhdueshme. Ka luajtur për skuadra, si Lugano, Genoa, Verona, Lazio, West Ham United, Fiorentina, Napoli, Hamburg, Watford, Udinese, Sion, Genoa e Brescia. Për Zvicrën i luajti 83 ndeshje dhe i realizoi dy gola. Ishte reprezentues i Zvicrës nga viti 2005 deri në vitin 2018.

I ka luajtur 259 ndeshje në Serie A, 106 në Premier Leauge, 22 në Bundesliga dhe dhjetë në Ligën e Kampionëve. Me Napolin e fitoi Kupën e Italisë në vitin 2014, ndërsa është lojtari i vetëm i Zvicrës që është paraqitur në katër botërorë rresht.