Me ndeshjen që u zhvillua të premten ndërmjet Liverpoolit dhe Bournemouthit ka filluar edhe edicioni 2025/26 në Premier League.
Ndeshja më interesante e xhiros së parë do të zhvillohet të dielën. Nga ora 17:30 luhet derbi ndërmjet Manchester Unitedit dhe Arsenalit.
Të dyja skuadrat kanë bërë përforcime gjatë afatit kalimtar të kësaj vere dhe i kërkojnë tre pikët e para për ta filluar edicionin e ri në mënyrën më të mirë të mundëshme.
Arsenali kampionatin e kaluar e mbylli në vendin e dytë me 74 pikë. Pas 38 ndeshjeve të zhvilluara kishte 20 fitore, 14 barazime dhe katër humbje.
Ndërsa Unitedi dëshpëroi shumë pasi edicionin 2024/25 e përfundoi në pozitën e 15-të me vetëm 42 pikë. Kishte plot 18 humbje, nëntë barazime dhe 11 fitore.
Unitedi ka humbur vetëm dy nga 18 ndeshjet e fundit në shtëpi në Premier League ndaj “topçinjve”.
Skuadra e Mikel Artetas është e pamposhtur në 14 ndeshjet e fundit në udhëtim në elitën angleze.
Kjo do të jetë hera e dytë në historinë e Premier Leagues që Unitedi e pret Arsenalin në ndeshjen e tyre të parë të sezonit.
Në total të dyja skuadrat janë përballur në 223 ndeshje. Unitedi prin me 95 fitore, Arsenali ka 80 kurse 48 herë ndeshja ka përfunduar baras.
Të dielën do të luhen edhe dy ndeshje tjera. Nga ora 15:00 takohen Chelsea – Crystal Palace dhe Nottingham Forest – Brentford.
Ndërkohë të shtunën, Aston Villa nga ora 13:30 e pret Newcastle Unitedin. Nga ora 16:00 luajnë Brightoni me Fulhamin, Sunderlandi me West Ham Unitedin dhe Tottenham Hotspuri me Burnleyn. Nga ora 18:30, Manchester City luan në udhëtim te Wolverhamptoni.
Xhiroja e parë mbyllet të hënën me ndeshjen Leeds United – Everton që luhet nga ora 21:00.