Të martën zhvillohen nëntë ndeshjet e para të xhiros së dytë të fazës së ligës në garën elitare për klubet e futbollit, Ligën e Kampionëve.
Disa prej top-skuadrave evropiane përballen me udhëtime sfiduese.
Klubi mbretëror spanjoll, Real Madrid, luan në Kazakistanin e largët. Më shumë se forca e Kairat Almatyt, Xabi Alonson mund ta ketë brengosur udhëtimi shumë i gjatë.
Ndeshja Kairat – Real Madrid zhvillohet nga ora 18:45, njëjtë si ajo Atalanta – Club Brugge. Klubet më të mëdha evropiane kanë shpresuar të shmangin Kairatin, për shkak të largësisë. Por madrilenët, megjithatë është dashur të udhëtojnë për në Kazakistan.
Real Madridi nuk është në momentin më të mirë. Të shtunën e humbi thellë derbin lokal ndaj Atletico Madridit.
“Është ndeshje e Ligës së Kampionëve. Ne duam të fitojmë dhe të fillojmë mirë është me rëndësi. Ne e kemi bërë këtë në ndeshjen në shtëpi dhe morëm fitore të rëndësishme. Tani duam të bëjmë të njëjtën gjë në udhëtim dhe kështu të vazhdojmë të mbledhim pikë”, ka thënë trajneri i madrilenëve, Alonso.
Ai ka thënë se fokusi i skuadrës tani është te ndeshja e Ligës së Kampionëve e jo tek ajo që ndodhi në fundjavë.
Në xhiron e parë të Championsit, Real Madridi fitoi 2:1 ndaj Marseilles. Kairat Almaty humbi 4:1 nga Sportingu. Në fakt për skuadrën nga Kazakistani është sukses historik vetë paraqitja në fazën e ligës.
Nga ora 21:00 të martën janë shtatë ndeshje të tjera.
Bayernin po ashtu e pret ndeshje e veçantë në udhëtim ndaj skuadrës pak të njohur nga Qipro, Pafos.
Pafosi qipriot në xhiron e parë luajti pa gola në Greqi me Olympiacosin. Ndërkohë Bayerni fitoi 3:1 ndaj Chelseat. Lëshimi i pikëve nga gjiganti gjerman do të ishte befasi shumë e madhe.
“Mendoj se gjëja më e rëndësishme në ndeshjet e Ligës së Kampionëve është të mos nënvlerësohen skuadrat që nuk luajnë në top-pesë ligat. Ka arsye pse këto skuadra janë në Ligën e Kampionëve. Secili ekip ka cilësi dhe nëse i qasemi secilës ndeshje të fokusuar dhe me besim për atë që po bëjmë, mendoj se do të kalojmë shumë mirë”, ka thënë Jonathan Tah, mbrojtës i Bayernit.
Atletico Madrid – Eintracht Frankfurt, si dhe Chelsea – Benfica mund të jenë prej ndeshjeve kryesore të mbrëmjes. Interi nuk pritet të ketë telashe në shtëpi me Slavia Pragën, ndërsa Tottenhami llogaritet favorit i madh ndaj Bodo/Glimtit në Norvegji.
Marseille – Ajax pritet të jetë ndeshje me rivalitet, derisa kampioni anglez, Liverpooli, do të sfidohet në Stamboll nga Galatasaray.
Galatasaray e ka nisur furishëm kampanjën në Turqi. Ka fituar shtatë ndeshjet e para dhe udhëheq në tabelë me 21 pikë. Megjithatë kishte pësuar 5:1 nga Eintracht Frankfurti në xhiron e parë të Championsit.
Liverpooli në xhiron e parë kishte fituar me shumë mund, 3:2 ndaj Atletico Madridit.
“Të kuqtë” të shtunën pësuan 2:1 nga Crystal Palace, në kuadër të Premier Leagues. Liverpooli megjithatë mbeti në vendin e parë në Premier League, falë fitoreve në pesë xhirot e para.