Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Liverpoolin e sfidon Fenerbahçe, Real Madridi luan në Athinë

Real Madrid

Dy prej skuadrave më të mëdha evropiane, Real Madridi dhe Liverpooli, luajnë në terminin e orës 18:45 në Ligën e Kampionëve të mërkurën.

Në kuadër të xhiros së katërt, madrilenët luajnë ndaj AEK-ut në Athinë, ndërsa Liverpooli në Stamboll përballet me Fenerbahçen.

Real Madridi dhe Liverpooli llogariten favoritë, por ndeshjet megjithatë mund të jenë sfiduese.

Skuadra e Jose Mourinhos i ka fituar tri ndeshjet e para. Ndërkohë AEK-u ka një fitore e dy humbje.

“Jemi afër që të kualifikohemi në plejof, por larg nga avancimi direkt në një të tetën e finalesh. Kështu që na duhen pikët. Duhet të luajmë ndeshje serioze ndaj ekipit, që sidomos në fushën e tij, është i fortë. Madridi e ka fituar vetëm një prej tetë ndeshjeve evropiane në Athinë. Mendoj se kjo tregon mjaftueshëm. Duhet të luajmë në nivelin më të mirë, të qëndrojmë të fokusuar dhe të përpiqemi të ruajmë nivelin tonë të lojës, pasi na duhen pikët”, ka thënë Mourinho.

Skuadra e tij është në seri prej gjashtë fitoreve. Së fundi është mposhtur më 20 shtator në derbin ndaj Atleticos. 

Liverpooli është tjetër skuadër që ka fituar tri ndeshjet e para në Champions. Ndërkohë Fenerbahçe, ku paraqitet Vedat Muriqi, ka dy barazime e një humbje.

Liverpooli në fundjavë u mposht në derbin e Premier Leagues nga Arsenali dhe e kërkon reagimin në Stamboll, ndonëse udhëtimet në Turqi gjithnjë i ka pasur të vështira. Në gjendje edhe më të keqe edhe Fenerbahçe. Ka humbur dy ndeshjet e fundit, ndërsa aktualisht është me trajner të përkohshëm. Pas dorëheqjes së Ismail Kartal, Dirk Kuyt u emërua trajner i përkohshëm i Fenerit. Kuyt si futbollist ka bërë karrierë të suksesshme te Liverpooli.

“Është mundësi e mirë për ne për të treguar se çka mund të bëjmë. Është po ashtu mundësi e madhe për mua, një ndeshje mes dy ekipeve që janë shumë të rëndësishme për mua. Kemi plan shumë të mirë dhe duhet të besojmë në të”, ka thënë Kuyt.

Të mërkurën prej orës 21:00 janë ndeshjet Dortmund – Betis, Porto – Napoli, Lens – Como, PSV – Club Brugge, Leipzig – Manchester City, Slavia Praga – Arsenali, Viking – Sabah.