Futboll

U shpall më i miri i ndeshjes në Champions, Jashari po realizon ëndrrat

Ardon Jashari

Chemsdine Talbi i shënoi dy gola e Ferran Jutgla një. Simone Mignolet priti penallti. Por ishte Ardon Jashari që u shpall më i miri i ndeshjes mes Atalantas dhe Club Brugge. Kampioni belg, Brugge, fitoi 3:1 të martën mbrëma në Bergamo të Italisë dhe me rezultatin 5:2 e eliminoi Atalantan në plejofin e fazës nokaut të Ligës së Kampionëve.

Ishin ekspertët e UEFA-s që e shpallën mesfushorin 22-vjeçar më të mirin e ndeshjes. Reprezentuesi i Zvicrës e kompletoi ndeshjen, ndërsa kishte saktësi prej 79 për qind në pasime. Arriti shpejtësi maksimale prej 31.5 kilometrash në orë, ndërsa vrapoi gjatë ndeshjes plot 12,1 kilometra.

“Ishte motori i skuadrës”, vlerësuan ekspertët e UEFA-s. “Ishte në çdo vend në aspektin defenziv dhe ofroi vrapime vendimtare në sulm. Ishte shumë i përfshirë në dy prej golave të Brugge”.

Ardon Jashari vetëm në verën e kaluar u largua nga Luzerni zviceran për t’u transferuar te Club Brugge. Pati vështirësi në fillim, por shpejt gjeti formën dhe u bë i pazëvendësueshëm te klubi belg. Javë më parë firmosi kontratë të re, por gjasat që të mbetet në Belgjikë për edicionin e ardhshëm po zvogëlohen shumë. Top-skuadra evropiane lakmojnë tashmë shërbimet e mesfushorit shqiptar. Një transferim i ri në afatin kalimtar të verës është shumë i mundshëm.

Italia është destinacion i mundshëm për Jasharin. Top-skuadra të këtij vendi tashmë po e përcjellin. Pas paraqitjes brilante ndaj Atalantas, numri i skuadrave të interesuara vetëm do të rritet.

Jashari ka thënë se është i lumtur për trofeun e lojtarit më të mirë të ndeshjes. Por u tregua modest.

“Në fakt këtë trofe mund t’ua kishin dhënë shumë lojtarëve të skuadrës sonë. Jemi paraqitur shumë mirë së bashku. Vërtet nuk ishte e lehtë, ishim nën presion. Është vërtet ëndërr e bërë realitet mua që ta fitoj këtë, por është trofe për gjithë ekipin. Nuk brengosem se kundër kujt luajmë në raundin tjetër, nuk kam menduar ende për këtë. Nëse vazhdojmë të luajmë në këtë nivel të lartë, atëherë çdo gjë është e mundur”, ka thënë Jashari për sajtin zyrtar të Club Brugge.

Në Zvicër paraqitja e Jasharit është përcjellë me vëmendje. Ai vlerësohet e ardhmja e përfaqësueses së këtij vendi. Është veçuar sidomos momenti te goli i dytë, kur Jashari ishte i shkëlqyer përballë mbrojtësve të Atalantas.

“Ishte një pjesë e parë sensacionale nga Jashari. Ai moment është shënuar me shkronja që dallohen në fletoret e skautëve të klubeve kryesore. Jam i sigurt për këtë. Ai po luan ndeshje të shkëlqyer”, ka thënë ish-sulmuesi i Zvicrës, Marco Streller, pas pjesës së parë të ndeshjes.

Figura e njohur televizive në Zvicër, Marcel Rief, ka folur po ashtu në superlativ për Jasharin.

“Ishte sensacionale. Ai luan me vetëbesim të jashtëzakonshëm”.

Televizioni zviceran SRF ka shkruar se me paraqitjen ndaj Atalantas, Jashari e ka rritur edhe më shumë vlerën në tregun ndërkombëtar.

Në fazën e ligës Atalanta ishte e nënta, pra e para prej skuadrave që nuk avancuan direkt në një të tetën e finales. Brugge përfundoi në vendin e 24-t, përkatësisht të fundit, që siguroi avancimin në plejofin e fazës nokaut. Rrjedhimisht Atalanta ishte favorite e madhe, por ekipi belg me Jasharin si “motor” bëri befasi të madhe.