Futboll

Tudori ankohet për “kushtet e vështira atmosferike”

Igor Tudor

Trajneri i Juventusit, Igor Tudor, është ankuar për kushtet e vështira të motit në Floridën Jugore, pas eliminimit në një të tetën e finales së Kupës së Botës për Klube.

Juventusi të martën u mposht nga Real Madridi me rezultatin 1:0.

Ndeshja filloi në ora 3:00, sipas kohës lokale, ndërsa temperatura në fillim të ndeshjes ishte 30 gradë Celsius. Lagështia ishte 70 për qind në stadiumin “Hard Rock”.

“Luajtëm në kushte vërtet të vështira. Lojtarët ishin shumë të lodhur”, ka thënë Tudor.

Kroati tha se dhjetë lojtarë i kërkuan gjatë ndeshjes që të zëvendësoheshin.

Ka pasur ankesa të vazhdueshme nga trajnerët në Kupën e Botës për Klube, të lidhura sidomos me kushtet në të cilat zhvillohen ndeshjet. Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca ka thënë ditë më parë se SHBA-ja nuk është vendi i duhur për të organizuar Kupën e Botës për Klube.

Tudori ka theksuar se shumë gjëra ndikuan në eliminimin e Juves.

“Është fundi i edicionit. Lojtarët kishin shumë stres gjë që u merr energji. Pastaj nxehtësia i bën gjërat më të vështira”, ka theksuar Tudor.