Mesfushori i Chelseat, Enzo Fernandez ka thënë se kishte “marramendje” derisa luante në një nxehtësi “shumë të rrezikshme” në Kupën e Botës për Klube në SHBA.
24-vjeçari argjentinas është paraqitur në të gjitha gjashtë ndeshjet e Chelseat në rrugën drejt finales me PSG-në që zhvillohet të dielën mbrëma.
Tri nga ndeshjet e Chelseat u luajtën në temperatura të vlerësuara si “nxehtësi ekstreme”. Në temperatura të tilla inkurajohen njerëzit të mos përfshihen në aktivitete të mëdha fizike ose të qëndrojnë jashtë.
Në New Jersey, ku zhvillohet finalja e së dielës, temperatura ditët e fundit ka arritur në 38 gradë Celsius.
Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca është ankuar se është e pamundur të zhvillohet një seancë normale stërvitore për shkak të nxehtësisë.
Ndërkohë, Fernandez, tha: “Sinqerisht vapa është e pabesueshme. Të nesërmen më është dashur të shtrihem në tokë pasi isha i trullosur. Të luash në këtë temperaturë është shumë e rrezikshme. Edhe më tepër për tifozët, për njerëzit që vijnë të shijojnë ndeshjen në stadium, për njerëzit që e shikojnë atë në shtëpi. Loja nuk është e njëjtë. Gjithçka bëhet më e ngadaltë”.