Thomas Tuchel do të jetë në krye të Përfaqësueses së Anglisë edhe në Kampionatin Evropian të vitit 2028, pasi e ka vazhduar kontratën.
Teknikut gjerman i skadonte kontrata pas Kupës së Botës që organizohet këtë verë në Kanada, Meksikë dhe SHBA. Lajmi është bërë i ditur nga Federata e Futbollit e Anglisë.
Ai ishte kandidat për ta marrë drejtimin e Manchester Unitedit, por ka vendosur të vazhdojë me “Tre Luanët”, ka shkruar “Sky Sports” të enjten.
“Nuk është sekret që e kam shijuar çdo minutë deri tani me punën e bërë me lojtarët dhe stafin e trajnerëve. Mezi pres ta udhëheqë skuadrën në Kupën e Botës. Është mundësi e jashtëzakonshme dhe do ta japim më të mirën për ta bërë shtetin krenar”, ka deklaruar Tuchel.