Futboll

“Trofeu i kampionëve” i takon PSG-së

PSg

Goli i Gonçalo Ramosit në minutën e 95-të ishte i vlefshëm për barazimin e rezultatit 2:2 për PSG-në ndaj Marseillet. Ramosi më pas e shënoi penalltinë e parë për PSG-në, që e fitoi Superkupën e Francës, apo “Trofeun e kampionëve”. 

PSG-ja fitoi 4:1 në ekzekutimin e penalltive të enjten mbrëma, në ndeshjen që u zhvillua në “Jaber Al Ahmad International Stadium”. Penalltitë për PSG-në i shënuan edhe Vitinha, Nuno Mendes dhe Desire Doue. Për Marseillen realizoi vetëm Michael Murillo, ndërsa dështuan Matt O-Riley dhe Hamed Junior Traore. 

Sfida ishte dramatike. 

Ousmane Dembele realizoi për kampionin e Evropës në minutën e 13-të. 

Për 1:1 realizoi Mason Greenwood në minutën e 76-të, kurse Marseille kaloi në epërsi 2:1 me autogolin e Willian Pachos, tre minuta para fundit. Por më pas Ramos shënoi në minutën e pestë të shtesës për 2:2 dhe sfida u vendos në penallti. 

Marseille mbetet me tre trofe të Superkupës franceze, ndërkohë, PSG-ja e fitoi trofeun e 14-të. PSG-ja ishte fitues i të gjitha trofeve në Francë në vitin e kaluar, kurse Marseille luajti në finale të Superkupës si nënkampion i Francës.