Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Tri episode të rëndësishme nga karriera e hershme e Muriqit

Muriqii

“The Guardian”, “Marca”, “Kicker” dhe shumë e shumë media të mëdha ndërkombëtare kanë shkruar për Vedat Muriqin së fundi. Golat në La Liga për Mallorcan, ndikimi i madh te Kosova dhe arritja në finale të plejofit për kualifikim në Botëror, e po ashtu goli i fitores ndaj Real Madridit, që thuajse i dha fund garës për titull në La Liga, kanë bërë që Muriqi të jetë në momentin kulmor sa i takon famës si lojtar.

Shkrimet e shumta në mediat ndërkombëtare janë dëshmi për këtë. Me Muriqin, sulmuesin 31-vjeçar nga Prizreni, mburren shumica e njerëzve në Kosovë. Dhe, ndoshta kuptueshëm, kur bëhet fjalë për sportist të suksesshëm, shumë vlerësojnë se kanë meritë në ngritjen e tij.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Merita më e madhe është natyrisht e vetë Muriqit – punës së jashtëzakonshme që ka bërë si dhe tejkalimit të sfidave, jo të pakta. Në sport, fati është po ashtu shumë i rëndësishëm. Këtë e pranon edhe vetë sulmuesi.

Megjithatë, janë disa momente apo episode në karrierë, sidomos në fillim të saj, që i japin drejtim rrugëtimit.

KOHA ka zgjedhur disa prej tyre për karrierën e jashtëzakonshme të Muriqit.

Kalimi në ekipin e parë të Lirisë

“Gjenerata e juniorëve ishte e vitit 1992 e unë e mora Vedatin te juniorët, ndonëse i lindur në vitin 1994”, thotë trajneri i njohur prizrenas, Behajdin Gjinali.

Ai thekson se e “gradoi” Muriqin nga ekipi i kadetëve në ekipin e juniorëve të Lirisë, e më pas edhe nga ekipi i juniorëve në ekipin e të rriturve.

Në sport kjo është fazë shumë e rëndësishme. Shumë të talentuar i japin fund karrierës pasi luajnë me ekipin e juniorëve, përkatësisht pasi kanë telashe për të dalë në ekipin e të rriturve. Muriqi këtë lëvizje e bëri shumë herët në karrierë.

“Pasi e kam parë se ishte korpulent, kam kërkuar leje nga trajneri i kadetëve që ta marr te juniorët. Në fillim ishte mbrojtës i majtë. Ndërkohë unë kalova si trajner në ekipin e parë të Lirisë dhe më pas e mora edhe Vedatin në ekipin e parë”, ka shtuar Gjinali në një bisedë për KOHËN.

Gjinali tregon që në atë periudhë, një dekadë e gjysmë më parë, për një vit e gjysmë ishte trajner i Lirisë.

Por si u shndërrua Muriqi nga mbrojtës i majtë në qendërsulmues?

“Atëbotë e kemi praktikuar që gjatë javës një herë të kemi lojë stërvitore të ekipit të seniorëve me atë të juniorëve. Në ekipin e juniorëve, që drejtohej nga trajneri Genc Tamniku, mungonte një sulmues dhe vendosëm që Vedatin ta provojmë në atë pozitë. Kështu ai nisi të luante sulmues dhe kur erdhi tek unë në ekipin e parë, ishte sulmues”, ka treguar Gjinali.

Ai e çmon vazhdimësinë dhe përkushtimin e Muriqit gjatë gjithë karrierës. Thotë se nuk është dorëzuar asnjëherë, ka kaluar sfidat, ka pasur fatin dhe kjo e solli në nivelin më të lartë.

Ndryshimi i kontratës për hapin drejt ... Teutës së Durrësit

Gjinali prezanton dokumente e të dhëna të ndryshme nga puna me Muriqin te Liria. Natyrisht, me sulmuesin në klubin prizrenas kanë punuar edhe trajnerë të tjerë. Skënder Kapra e Skënder Shëngyli, ndër të tjerë. Ai luajti për ekipin e parë të Lirisë, bëri karrierë edhe në Superligë dhe në janar të vitit 2013 iu bashkua Teutës së Durrësit.

Në fakt më parë kishte pasur prova në Zvicër, Suedi e Turqi, por pa fituar kontratë. Vetë Muriqi i ka konsideruar prova të pasuksesshme.

Edhe te Teuta kaloi përmes provave. Madje është dashur të bëhet ndryshim në kontratën e tij me Lirinë që të mundësohej kalimi te Teuta.

Atëbotë çdo kalim nga futbolli i Kosovës në futbollin e Shqipërisë ishte hap i rëndësishëm para. Futbolli i Kosovës po vuante shumë nga izolimi.

“Në verën e vitit 2012 nënshkruam kontratë me Vedatin, të vlefshme për katër vjet. Me kontratën që firmosi me Lirinë, Vedati kishte pagë 200 euro në muaj. Kur shkoi në Teutë, ne si klub u pajtuam ta lirojmë në huazim gjashtëmujor. Por te Teuta refuzuan këtë. Pranuan ta marrin vetëm si lojtar të lirë, pra pa kontratë me ne. Vedati dhe axha i tij erdhën në shtëpinë time dhe më kërkuan që ta ndryshojmë kontratën, pra që ta lëmë të lirë. Unë pyeta drejtuesit e klubit për këtë dhe ia ndryshuam. Pra e lamë të lirë. Kështu Vedati kaloi te Teuta dhe më pas rritja e tij në karrierë nuk kishte të ndalur. Dhe tani ka prekur kulmin”, tregon Bashkim Kajdomçaj, administrator shumëvjeçar në klubin Liria.

Edhe ai ofron shumë dokumente, si procesverbale të ndeshjeve, nga koha e Muriqit te Liria.

Kajdomçaj tregon që Muriqi e kishte gjatësinë që e ka tani, edhe si 16-vjeçar. Thotë se e ka karakterizuar këmbëngulësia për t’ia dalë në karrierë. Dhe për këtë nuk e kanë ndalur as refuzimet pas provave dhe as pengesat e tjera në karrierë.

Të paktën 800 mijë euro vlerësohet se i ka përfituar Liria e Prizrenit nga transferimet që ka bërë Muriqi në karrierë. Është taksë që FIFA ua garanton klubeve për zhvillimin e lojtarëve në moshë të re.

Ditët e para në Durrës

Tani shënon gola ndaj Real Madridit, por në janarin e vitit 2013 sfida e Muriqit ishte që të bindte drejtuesit e Teutës së Durrësit t’i ofronin kontratë. Dhe kjo nuk ishte e lehtë.

Vetëm pas provave disaditore, Muriqit iu ofrua kontrata për një vit e gjysmë me klubin durrësak. Gentian Begeja ishte trajner i Teutës kur firmosi Muriqi. Begeja megjithatë pak javë më pas u zëvendësua nga Gugash Magani. Nën urdhrat e Maganit debutoi te Teuta në Superligën e Shqipërisë, më 23 shkurt 2013.

“Vedati erdhi me një familjar dhe emri i tij iu propozua presidentit të klubit tonë Edmond Hasanbelliu. Vendosëm ta provojmë. Ishin të grumbulluar në Golem, në plazh, për fazë përgatitore. Çka të them, një djalë i gjatë, i fortë për moshën që kishte. I përkulur, i urtë, si gjithë lojtarët e tjerë që vinin nga Kosova. Më la përshtypje të them të drejtën. Fizikisht ishte mirë, edhe teknikisht në rregull. E kam fjalën për marrëdhënien me topin, pasimin, pranimin. Dhe i thamë presidentit që t’i ofronte kontratë. Unë jam larguar në fund të atij janari nga drejtimi i skuadrës, por Vedati qëndroi për një kohë dhe më pas u huazua te Besa e Kavajës”, ka treguar Begeja për KOHËN.

Në fakt Muriqi nuk kishte hapësirë te Teuta. Për Begejën kjo është e kuptueshme. Thotë se skuadra kishte dy prej sulmuesve më të mirë në ligë atëbotë, Daniel Xhafajn e Bledar Mançakun dhe Muriqi nuk ishte angazhuar si sulmues kryesor. Por kontrata i ishte dhënë për shkak të potencialit për të ardhmen.

Te Besa e Kavajës, “Pirati” i tanishëm i Mallorcas, u huazua në janar 2014. Dhe në verën e atij viti ishte i lirë. Shkoi në prova te Giresunspori në kategorinë e dytë turke. Edicionin e parë nuk e kishte të mirë. Por presidenti i klubit ia dha rastin edhe për një edicion tjetër. Muriqi shpërtheu më pas. 17 gola i shënoi në edicionin 2015/16, pra një dekadë më parë. Gençlerbirligi, Rizespori, Fenerbahçe, Lazio dhe prej fillimit të vitit 2022, Mallorca. Tashmë është legjendë e këtij klubi dhe natyrisht e futbollit shqiptar.

Ai e vlerëson shpërthimin te Giresunspori si momentin më të rëndësishëm të ngritjes së mahnitshme në karrierë.

“Më e rëndësishmja është që nuk jam dorëzuar kurrë. Çelësi për sukses ishte mosdorëzimi. Kam dështuar goxha. Por e kam ditur që mund t’ia dalë. Natyrisht, kam pasur edhe pak fat. Jam këtu ku jam sot falë punës dhe fatit që kam pasur”, thekson Muriqi.