Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Mallorca ka nevojë për golat e Vedat Muriqit

Vedat Muriqi

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, nuk ka shënuar asnjë gol në dy ndeshjet e fundit për Mallorcan. Por trajneri i Mallorcas, Martin Demichelis, ka besim se Muriqi do ta ketë rolin kryesor në ndeshjen kundër Gironas.

Ndeshja e xhiros së 34-t të La Ligas ndërmjet Gironas dhe Mallorcas zhvillohet të premten nga ora 21:00.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ai mezi pret të shënojë përsëri, do të jetë një lojtar kyç, do të jetë i fortë”, ka thënë Demichelis të enjten në konferencë për shtyp para ndeshjes kundër Gironas.

Ai ka thënë se Mallorca ka nevojë për golat e sulmuesit kosovar.

Muriqi për herë të fundit gol shënoi në ndeshjen kundër Rayo Vallecanos.

Me dy golat e tij kundër Rayo Vallecano, sulmuesi i Kosovës u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Mallorcas në La Liga. 

Muriqi ka arritur në shifrën e 55 golave, duke tejkaluar 54 golat e Samuel Eto’os me fanellën e Mallorcas në La Liga.

Sulmuesi i Kosovës me 21 gola të shënuar në edicionin aktual në La Liga, është vetëm tre gola larg yllit francez të Real Madridit, Kylian Mbappes, që mban vendin e parë në renditjen e golashënuesve me 24 gola.

Muriqi 31-vjeçar mungoi në disa seanca stërvitore gjatë javës për shkak të menaxhimit të ngarkesës së punës, por Demichelis ka konfirmuar se ai është i gatshëm për lojë.

“Ne e kemi kontrolluar ngarkesën e punës në mënyrë që të gjithë të arrijnë në formën më të mirë të mundshme. Ai është gati për Gironan”, thotë Demichelis. 

Muriqi është prej lojtarëve që ka pasur barrën më të madhe në fushë te Mallorca.

Demichelis ka insistuar se Muriqi kishte nevojë për më shumë rigjenerim sesa lojtarët e tjerë të Mallorcas.

“Ai është një nga djemtë që luajti shumë dhe ne e kemi monitoruar ngarkesën e tij të punës gjatë gjithë javës në mënyrë që të arrijnë në formën më të mirë. Muri do të jetë në formë të shkëlqyer. Nuk mund të bëjmë shumë ndryshime në formën fizike në këtë fazë, por mund të kërkojmë që ata të stërviten mirë. Seancat stërvitore mund të zgjasin 60, 65 ose 90 minuta, varësisht nga objektivi. Muriqi po vjen me një ngarkesë të madhe pune. Ai është i etur të garojë në nivelin më të lartë, të shënojë, kështu që e di që do të jetë në formën më të mirë”, ka theksuar Demichelis.

Për Muriqin ka folur edhe trajneri i Gironas, Michel Munoz. Ai thotë se loja e Mallorcas varet shumë nga Muriqi.

“Ka lojtarë me aftësi të mira si mbrojtësit e krahut Johan Mojica dhe Pablo Maffeo, të cilët bëjnë harkime të sakta te lojtari i tyre kryesorë, Vedat Muriqi, i cili qëndron brenda zonës”, ka thënë Michel Monuz. 

Mallorca është në vendin e 17-të me 35 pikë. Girona është në vendin e 15-të me 38 pikë.

Mallorca në dy ndeshjet e fundit ka një humbje dhe një barazim. Fitorja është jetike për Mallorcan në garën për mbijetesë.

Pas ndeshjes me Gironan, Mallorca do t’i ketë edhe katër ndeshje të tjera në garën për mbijetesë.