Futboll

Tovërlani ankohet në ndarje të drejtësisë

Afrim Toverlani

Trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani, është ankuar në ndarjen e drejtësisë në finalen ndaj Dritës.

Drita e fitoi Superkupën e Kosovës duke e mposhtur Prishtinën me rezultatin 2:1.

Për Dritën u akordua penallti në minutën e 39-të, të cilën në gol e shndërroi mbrojtësi Besnik Krasniqi i cili i barazoi shifrat në 1:1.

Por Tovërlani beson se ajo penallti nuk ka ekzistuar. Por pavarësisht disfatës, trajneri i njohur i përgëzon futbollistët për angazhimin.

“Fillimisht para kartonit të kuq, nuk ka ekzistuar penalltia. Nuk jam i duhuri që unë ta vlerësoj mirëpo në xhirimet e ngadalësuara e kam shikuar dhe nuk ka pasur penallti. Kuptohet se ndaj një skuadre të mirë si Drita, është e vështirë me një futbollist më pak. Ishim edhe pa fat pasi e pamë që në pjesën e dytë edhe pse me një futbollist më pak kishim katër apo pesë raste të 100 përqinda, mirëpo fati nuk ishte në anën tonë. Jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve. Jam i kënaqur me atë që e kanë dëshmuar dhe kanë treguar. Kam besim që ende nuk është forma më e mirë se çka mund të bëjmë në pranverë”, ka thënë Tovërlani.