Futboll

Te kampioni i Zvicrës çdo gjë ka të bëjë me shqiptarët

Xherdan Shaqiri dhe Xhaka

Njëri përshëndetet si legjendë, tjetri udhëhoqi skuadrën drejt titullit dhe në festën e madhe. Një tjetër paralajmëron kthimin, e njëri vazhdon kontratën.

Te kampioni i Zvicrës në futboll, Baseli, aktualisht çdo gjë ka të bëjë me lojtarët shqiptarë. 
Baseli të shtunën mbrëma fitoi 4:0 ndaj Luzernit në xhiron e fundit të Superligës së Zvicrës. Shumë më herët e kishte siguruar titullin, por ndeshja megjithatë ishte e veçantë. Prej shqiptarëve startuan Taulant Xhaka, Xherdan Shaqiri, Albian Ajeti e Leon Avdullahu. Ndeshja festive e skuadrës ishte përshëndetëse për legjendën e Baselit, Taulant Xhaka. Ai ka vendosur ta përfundojë karrierën si futbollist. Taulant Xhaka ka luajtur fare pak së fundi, por në ndeshjen përshëndetëse ishte startues. Luajti deri në minutën e 35-të, kur u përcoll si legjendë. Koreografia e tifozëve në nderim të tij ishte mahnitëse. Albian Ajeti shënoi gol, Xherdan Shaqiri asistoi dy herë dhe Baseli kishte festë të zjarrtë.
Ndërkohë kthimin te Baseli e paralajmëroi Granit Xhaka, kapiteni shumëvjeçar i Zvicrës. Granit Xhaka është lojtar shumë i rëndësishëm i nënkampionit të Gjermanisë, Bayer Leverksuenit dhe lider i Zvicrës. Njëjtë si Taulanti dhe Xherdani, Graniti është rritur te Baseli. Dhe në të shtunën e përkryer për tifozët e Baselit, ai ishte në stadium për ndeshjen e fundit të vëllait të tij.

“Është e shtunë futbolli që të gjithë tifozët e Baselit e kanë ëndërruar. Ndeshja finale e sezonit nisi emocionalisht me përshëndetjen e ikonës Taulant Xhaka. Kishte mega-koreografi, lotë dhe paralajmërim për kthimin e shumëpritur të Granit Xhakës”, shkruan “Blick”.

Gazeta e madhe zvicerane ka shkruar se lojtar i ndeshjes sërish ishte Xherdan Shaqiri, që bëri dy asistime. Pas fitores së thellë ishte koha për dorëzimin e trofeut, moment që është pritur për shumë vjet. 

“Këtë herë Shaqiri është udhëheqësi i madh në mikrofon, ndonëse zëri i superyllit është në gjendje më të keqe se fusha në ‘St. Jakob-Park’ pas Eurovisionit. Me piroteknikë dhe thirrje të tifozëve, është festuar deri pas mesnatës”, shkruan tutje gazeta zvicerane.

Pas mesnate, Shaqiri ka udhëhequr edhe thirrjet për Taulantin, në festën me tifozët në shesh.

“Ju gjithnjë do të mbeteni në zemrën time”, ka thënë Taulant Xhaka para tifozëve të zjarrtë të Baselit.
Para ndeshjes bëri bujë premtimi i Granit Xhakës se do të kthehet te Baseli. 
“Në emër të familjes Xhaka, dua të falënderoj lojtarët, stafin dhe gjithë klubin”, ka thënë fillimisht para tifozëve kapiteni i Zvicrës. “Mund të premtoj një gjë: njëri Xhaka po largohet, por tjetri do të kthehet së shpejti”.

Granit Xhaka ka kontratë deri në verën e vitit 2028 me Leverkusenin. Dhe nuk pritet të kthehet te Baseli këtë verë. Ai mund të kthehet te Baseli pas një apo dy vjetësh. Drejtori sportiv i Baselit, Daniel Stucki, ka thënë se “është bukur kur Granit Xhaka thotë diçka të tillë. Por për momentin nuk është reale”.

Graniti ka shkruar një letër të gjatë në nderim të Taulantit, me rastin e pensionimit të tij. Ndër të tjera ka shkruar se gjithnjë e ka parë si shembull.

Një legjendë po largohet nga Baseli, por ndikimi shqiptar në këtë skuadër do të vazhdojë të jetë shumë i madh.

Nën hije të festës dhe përshëndetjes së Taulantit, të shtunën Baseli njoftoi se sulmuesi Albian Ajeti e ka vazhduar kontratën deri në verën e vitit 2028. Albiani jo gjithnjë kishte ndikimin e pritur këtë edicion, por në momente të rëndësishme shkëlqeu.

Është Xherdan Shaqiri që e udhëhoqi skuadrën drejt titullit, duke realizuar 18 gola e 22 asistime në 34 paraqitje. Shaqiri në verën e kaluar u kthye nga SHBA-ja dhe la gjurmë të pashlyeshme. Do të vazhdojë ta udhëheqë Baselin.

Leon Avdullahu është e ardhmja e futbollit në Zvicër. Ai është i padiskutueshëm në formacionin bazë të Baselit. Por mbetet të shihet nëse klubi zviceran do të mund ta mbajë mesfushorin më gjatë. 

Tjetër festë mund të ketë për Baselin pas pak ditësh. Më 1 qershor e luan finalen e Kupës së Zvicrës ndaj Bielit të kategorisë së tretë. Humbja e Baselit do të ishte befasi shumë e madhe.