Ousmane Dembele i Paris Saint-Germainit favorizohet në krahasim me superyllin e Barcelonës, Lamine Yamal, në garën për ta fituar “Topin e Artë”.
Ceremonia e ndarjes së çmimit kryesor individual në futboll mbahet të hënën mbrëma.
Te futbollistet, çmimi prestigjioz pritet t’i jepet Aitana Bonmatit për herë të tretë rresht.
Elita e botës së futbollit do të mblidhet në “Theatre du Chatelet”, në qendër të Parisit, për ta zbuluar se kush do të jetë fitues i çmimit që për shumë vjet u dominua nga Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.
Kjo dyshe e ka fituar “Topin e Artë” 13 herë mes viteve 2008 - 2023. Vitin e kaluar përfundoi dominimi i gjatë i tyre, pasi çmimi i takoi mesfushorit të Manchester Cityt, Rodrit. Rodri shkëlqeu në “Euro 2024”, në triumfin e Spanjës.
Rodri nuk është kandidat pasi në edicionin e kaluar u përball me lëndim të rëndë. Dembele është favoriti kryesor nga lista e të nominuarve, që dominohet nga lojtarët e PSG-së.
Nëntë lojtarë të PSG-së që e fituan Ligën e Kampionëve, duke e shkatërruar Interin 5:0 në finale, janë në mesin e 30 të nominuarve.
Aty janë Desire Doue, Achraf Hakimi, Khvicha Kvaratskhelia, Nuno Mendes, Joao Neves, Fabian Ruiz dhe Vitinha, si dhe portieri Gianluigi Donnarumma, që tani është te Manchester City.
Por, Dembele qëndron prapa një edicionit të shkëlqyer. Ai u kujdes për të mbushur zbrazëtinë e lënë në Paris pas largimit të Kylian Mbappes, duke realizuar 35 gola.
Ky kontribut e ka ndihmuar PSG-në t’i fitojë gjithë trofetë në Francë, e po ashtu edhe të arrijë deri në finale të Kupës së Botës për Klube.
Ka qenë një kampanjë spektakolare për klubin francez dhe edhe më e jashtëzakonshme për Dembelen, sulmuesi i krahut që u kthye në qendërsulmues. Dembele e ka kthyer edhe formën. Ai formën më të mirë me Barcelonën e kishte në edicionin 2018/19.
“Ishte gjë e mirë pas sezonit të shkëlqyer që kishim me PSG-në”, ka thënë Dembele për “Le Monde” kur u pyet se çfarë do të thotë për të që ishte kandidati kryesor për çmimin.
“Është e vërtetë që jam njëri prej favoritëve, por të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë 28-vjeçari.
Yamali, ende 18-vjeçar, është prej të nominuarve. Ai është kthyer në superyll të futbollit pas paraqitjeve në krah te Barcelona. Shihet si pasardhës i Messit.
Ai e fitoi trofeun “Kopa” për lojtarin më të mirë nën moshën 21-vjeçare në mbrëmjen gala të “Topit të Artë” vitin e kaluar, pak kohë pasi kontribuoi në triumfin e Spanjës në Kampionatin Evropian.
I shënoi 18 gola në 55 ndeshje në të gjitha garat, në sezonin ku Barcelona e fitoi La Ligan dhe Kupën e Mbretit, por humbi nga Interi në gjysmëfinale të Championsit.
“Nuk ëndërroj që ta fitoj ‘Topin e Artë’. Ëndërroj që të fitoj shumë”, kishte thënë Yamal në një intervistë dhënë së fundmi për gazetarin spanjoll Jose Ramon de la Morena.
“Topi i Artë” tani ndahet për të arriturat e edicionit të fundit, në këtë rast atij 2024/2025, dhe jo si më parë kur votohej për sukseset në një vit kalendarik.
Të nominuar të tjerë për këtë edicion të “Topit të Artë” janë Viktor Gyokeres, Erling Haaland, Harry Kane, Cole Palmer dhe dyshja që triumfoi në Premier League me Liverpoolin, Mohamed Salah dhe Virgil van Dijk.
Mbappe dhe Vinicius Junior janë në listë po ashtu, një vit pasi Real Madridi e bojkotoi ceremoninë, pasi u bë e ditur paraprakisht se braziliani nuk është fitues i çmimit.