Futbollisti i talentuar shqiptar, Demir Xhemalija, pritet që së shpejti të ndërrojë skuadër. 19-vjeçari Xhemalija luan për skuadrën U21 të Baselit në Zvicër.
Mesfushori me tipare defensive me shumë gjasa do të largohet nga Baseli por jo edhe nga kampionati zviceran.
“Blick” ka shkruar se Xhemalija është në prag të transferimit te Luzerni, një tjetër ekip që garon në elitën zvicerane.
Xhemalija ende nuk ka bërë paraqitje zyrtare me ekipin e parë të Baselit dhe po e shqyrton mundësin e ndërrimit të skuadrës.
Në edicionin 2024/25, ai me Baselin U21 zhvilloi 16 ndeshje ku kontribuoi me një gol.
Xhemalija ka paraqitje edhe për grupmoshat U16, U17 dhe U19 të Përfaqësueses së Zvicrës.
Muajin e kaluar, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, u takua me talentin e Baselit ku publikoi një fotografi në rrjetet sociale.