Futboll

Sulmuesi i Kosovës do ta vazhdojë karrierën në Turqi

selmani

Pas një sezoni e gjysmë të kaluar te Dinamo e Bukureshtit dhe 14 golave të shënuar në edicionin e kaluar, Astrit Selmani vendosi të mos e vazhdojë kontratën. 

Tani është futbollist i lirë, por mediumet turke kanë shkruar të shtunën se ai do ta vazhdojë karrierën në elitën e futbollit të Turqisë, përkatësisht te Kasimpasha. 

Kasimpasha përfundoi në vendin e 10-të në kampionatin elitar, ndërsa tani ka nisur negociatat për sulmuesin Selmani, që me Kosovën ka pesë ndeshje të luajtura e një gol të shënuar. 

“Klubi nga Stambolli, që synon të përforcohet në fazën e sulmit, pritet ta zyrtarizojë transferimin e Selmanit në ditët e ardhshme”, ka shkruar agjencia e lajmeve “DHA” e Turqisë. 

Selmani është zhvilluar si futbollist në Suedi, ndërsa ka luajtur për Hammarbyn dhe Goteborgun. Ai karrierë ka bërë edhe te Hapoel Beer Sheva dhe Midtjyllandi, ndërsa Dinamos i ishte bashkuar në shkurt të vitit 2024.