Futboll

Selmani në kërkim të klubit të ri pas paraqitjeve të mira te Dinamo

Sulmuesi kosovar Astrit Selmani

Astrit Selmani pati paraqitje të mira me Dinamon e Bukureshtit dhe tani është në kërkim të një klubi të ri. 

Skuadra nga Azia dhe Evropa kanë shprehur interesim për shërbimet e sulmuesit që herë pas here ftohet edhe nga Kosova. 

Me Dinamon në elitën e futbollit rumun, Selmani pati 14 gola të realizuar e tetë asistime. Tani ai është në kërkim të një aventure të re. 

“Isha skeptik për kalimin në Rumani por u befasova në Bukuresht. Në periudhën në Izrael më ishin premtuar shumë gjëra, por nuk mora asgjë përveç pagave. Kam mësuar shumë nga ajo periudhë”, ka deklaruar Selmani në një intervistë të gjatë dhënë për “Fotbollskanalen”. 

Kontrata e Selmanit me Dinamon e Bukureshtit skadon në këtë verë. Ai pati oferta edhe nga disa klube rumune. 

“Kam pranuar oferta nga thuajse secili klub, por i kam refuzuar. Përveç Dinamos, nuk do të luaja në asnjë klub tjetër në Rumani. Me të vërtetë jam kënaqur këtu”, thotë Selmani. 

Ai ka bërë të ditur se arsyeja e largimit nga Dinamo është se skuadra nuk do të luajë në Evropë në edicionin e ardhshëm. Klubi aktualisht është në vendin e gjashtë.

Për Selmanin kanë shprehur interesim edhe skuadrat nga Polonia e Hungaria. 

“Mendoj të luajë në Azi, më pëlqen ta kem një eksperiencë atje. Në Evropë shpeshherë merr kontratë dy-tri vjeçare. Nuk po e mendoj kthimin në Suedi”, ka deklaruar Selmani. 

Sulmues 28-vjeçar ka luajtur në pesë ndeshje me Kosovën dhe e ka një gol të shënuar.