Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Starti i furishëm i Rexhbeçajt me Augsburgun

Elvis Rexhbecaj

Elvis Rexhbeçaj e kishte shënuar golin e parë të Augsburgut në fillimin e edicionit të kaluar të Bundesligës, në barazimin 4:4 me Borussia Moenchengladbachun. Rexhbeçaj edhe këtë sezon e nisi me gola. Realizoi të dielën e kaluar në fitoren 4:1 të Augsburgut në udhëtim te Viktoria Berlini, në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë, ndërsa shkëlqeu edhe në këtë fundjavë. Mesfushori i ri i Kosovës realizoi me gjuajtje shumë të fuqishme nga 28 metra distancë, në ndeshjen në të cilën Augsburgu barazoi 2:2 me Werder Bremenin, në xhiron e parë të Bundesligës. Topi mori shpejtësi prej 106 km/h, ndërsa rezultati u barazua në 1:1. 

26-vjeçari duket në formë tejet të mirë para ndeshjeve të Kosovës në Ligën e Kombeve. Kosova e nis ciklin e ri të Ligës së Kombeve me ndeshjen ndaj Rumanisë, në kuadër të Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Dhe me Rexhbeçajn në formë, mesfusha e Kosovës mund të duket më ndryshe. 

Rexhbeçaj të shtunën për faqen zyrtare të Augsburgut ka thënë pas ndeshjes se është shumë i lumtur me golin e shënuar, por i dëshpëruar që ekipi i tij nuk mori pikët e plota. 

“Jam padyshim shumë i kënaqur që gjuajtja ime përfundoi me gol të shënuar dhe Samueli më pas realizoi tjetër gol. Nuk jemi të kënaqur pasi nuk morëm pikët e plota. Ishim më ofensiv se kundërshtari dhe ishin dy situata të diskutueshme të cilat nuk u dhanë në favorin tonë”, ka theksuar Rexhbeçaj. 

Ai shtoi se loja nuk ishte e lehtë pasi edhe Werderi kërkoi të nxjerrë maksimumin nga ky ballafaqim. 

Edhe Rexhbeçaj shënon gol të bukur në barazimin e Augsburgut Futboll Rexhbeçaj shënon gol të bukur në barazimin e Augsburgut

“Të dyja klubet donin të luanin lojë sulmuese, e cila nuk ishte e lehtë, veçanërisht për shkak të temperaturave. Natyrisht ne kishim dëshirë që të kalonim të parët në epërsi, por po ashtu ishte e rëndësishme që të ishim në gjendje ta kthenim lojën në të mirën tonë”, ka shtuar tutje ai. 

Ndeshjen e radhës në Bundesligë, Augsburgu e zhvillon në udhëtim te Heidenheimi më 1 shtator. 

Pas atij ballafaqimi, Rexhbeçaj pritet t’i bashkohet Kosovës që luan më 6 shtator kundër Rumanisë në Prishtinë. 

“Tani duhet të punojmë për ndeshjen e ardhshme dhe ta mbajmë intensitetin e lartë në mënyrë që të sulmojmë sërish në javën tjetër dhe të mos bëjmë gabime”, deklaroi Rexhbeçaj. 

Edhe Rexhbeçaj ka synime të mëdha me Kosovën dhe në nivel klubesh Futboll Rexhbeçaj ka synime të mëdha me Kosovën dhe në nivel klubesh

Mesfushori qendror është pjesë e Augsburgut prej korrikut të vitit 2022 kur u transferua nga Wolfsburgu. Karrierë ka bërë edhe te Bochumi e Koelni. Pra është futbollist i zhvilluar në Gjermani, dhe me shumë përvojë në elitën gjermane të futbollit. 

Ai ka zhvilluar 160 paraqitje në Bundesligë, ndërsa ka dhjetë gola të shënuar e tetë asistime në total.