Juventusi ka pësuar humbje të papritur të shtunën. U mposht 1:0 në udhëtim nga Cagliari, në kuadër të xhiros së 21-të të Serie A.
Për Juven ishte humbja e parë këtë vit, ndërsa erdhi pas një serie pozitive të rezultateve. Edon Zhegrova luajti prej minutës së 66-të, por pa bërë dallimin.
Madje ai mori kritika nga trajneri Luciano Spalletti, sipas “TuttoSport”, mediumit të afërt me Juven.
Sipas kësaj gazete, Spalleti ka kritikuar Francisco Conceiçaon dhe Zhegrovën.
“Tuttosport” ka komentuar se në pjesën e dytë Spalletti aktivizoi gjithë lojtarët e sulmit që kishte në dispozicion, por ata nuk kishin ndikimin që pritej.
Cagliari e shënoi golin në minutën e 65-të dhe menjëherë në minutën e 66-të Juve i bëri dy zëvendësime.
“Ata kanë karakteristikat për t’u përshtatur në atë dendësi. Conceiçao erdhi të luante mesfushor në vend se të qëndronte lartë dhe të merrte lojtarin. Zhegrova njëjtë, lëvizi nga zona e rrezikshme. Kalulu dhe Kelly e gjetën veten duke luajtur në krahë, kurse mbrojtësit duhet të jenë mbrojtës. Diçka mund të thuhet për këtë aspekt, që të jemi më shumë në role dhe pozita që duhet për të shkaktuar dëm. Por më pas kemi luajtur lojën, kemi mbajtur ritmin dhe ndalëm çdo përpjekje që ata bënë. Ka shkuar në atë mënyrë, nuk ka arsye të vajtojmëë për atë që kemi bërë. Kemi bërë atë që ka kërkuar ndeshja. Është dashur ta bëjmë më me vendosmëri dhe të përfitojmë nga disa momente të tjera”, ka thënë Spalletti.
Zhegrova tani i ka dhjetë paraqitje në Serie A. Është në pritje të golit apo asistimit të parë. Dhe vazhdon të jetë zëvendësues.
“Tuttosport” e ka vlerësuar Zhegrovën me notën pesë.
“I vetmi që mund ta ndryshojë ritmin e Juves. Megjithatë, ai kalon në pozicion neutral: kaq shumë paqartësi në çdo lojë”, ka shkruar mediumi italian.