Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Skandal në Champions, Zvezda falënderon polakët për banerin “Kosova është Serbi”

Skandal në Champions, Zvezda falënderon polakët për banerin “Kosova është Serbi”

Skuadra serbe Crvena Zvezda i ka falënderuar tifozët e Lech Poznanit që në ndeshjen për rrethin e tretë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve shpalosën në stadium një baner të madh me shkrimin “Kosova është Serbi”.

Gjatë ndeshjes së luajtur të mërkurën mbrëma në stadiumin e Poznanit, tifozët vendas shpalosën një baner të madh me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Pas përfundimit të ndeshjes, të cilën Zvezda e fitoi me rezultat 1:3, faqja zyrtare e klubit serb në platformën “X” publikoi një foto të banerit dhe shkroi “Faleminderit” në gjuhën polake (“Dziękujemy”), duke falënderuar publikisht tifozët e Lech Poznanit për këtë mesazh politik. Ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave.

Polonia është ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Megjithatë, një pjesë e tifozëve polakë vazhdojnë të mbështesin narrativat serbe në çështjen e Kosovës.

UEFA vazhdimisht ka shqiptuar gjoba dhe ndëshkime ndaj klubeve apo federatave për incidente të ngjashme.