Futboll

FFK-ja kërkon nga UEFA masa disiplinore ndaj Lech Poznanit dhe Zvezdës

ffk

Federata e Futbollit e Kosovës ka dalë me reagim pas skandalit në ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve ndërmjet Lech Poznanit dhe Cërvena Zvezdës.

Skuadra serbe Cërvena Zvezda i ka falënderuar tifozët e Lech Poznanit që në ndeshjen për rrethin e tretë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve shpalosën në stadium një baner të madh me shkrimin “Kosova është Serbi”.

Pas përfundimit të ndeshjes, të cilën Zvezda e fitoi me rezultat 3:1, faqja zyrtare e klubit serb në platformën “X” publikoi një foto të banerit dhe shkroi “Faleminderit” në gjuhën polake (“Dziękujemy”), duke falënderuar publikisht tifozët e Lech Poznanit për këtë mesazh politik. Ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave.

Polonia është ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Megjithatë, një pjesë e tifozëve polakë vazhdojnë të mbështesin narrativat serbe në çështjen e Kosovës.

“Federata e Futbollit e Kosovës i cilëson këto akte si provokim të rëndë politik, të turpshme e të papranueshme në një ngjarje sportive dhe shkelje flagrante të rregullave dhe parimeve të UEFA-s, e të cilat ndalojnë çdo lloj mesazhi politik apo diskriminues në stadiume. Këto janë sjellje që nuk i shërbejnë futbollit dhe përbëjnë nxitje të urrejtjes dhe cenim të integritetit sportiv”, shkruan në reagimin e FFK-së.

FFK-ja ka paralajmëruar ankesë në UEFA.

“FFK, menjëherë pasi ka vërejtur një shkelje të tillë, ka nisur procedurën e paraqitjes së ankesës zyrtare në UEFA, duke kërkuar masa disiplinore ndaj klubit Lech Poznań, përgjegjës për sjelljen e tifozëve të tij, si dhe ndaj Crvena Zvezdës për deklaratat publike që nxisin dhe legjitimojnë mesazhe kundër shtetit të Kosovës. FFK, si anëtare e UEFA-s, mbron dhe promovon vlerat që futbolli duhet të mbetet jashtë provokimeve politike dhe duhet të shërbejë si urë bashkimi, e jo përçarjeje, por kërkon me ngulm që këto parime të mbrohen edhe nga federatat e tjera anëtare”, shkruan FFK.

UEFA vazhdimisht ka shqiptuar gjoba dhe ndëshkime ndaj klubeve apo federatave për incidente të ngjashme.