Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Si vazhdon gara e Kosovës në Ligën e Kombeve, cilët janë kundërshtarët e mundshëm?

Vedat Muriqi - Jashari

Me ndeshjet e së martës mbrëma ka përfunduar vetëm faza e ligës, përkatësisht faza grupore, e edicionit të katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Prej këtij edicioni është përfshirë edhe plejofi për promovim dhe mbetje në nivel të njëjtë. Pjesë e plejofit thuajse sigurt do të jetë edhe Kosova, ndonëse UEFA ende nuk e ka regjistruar ndeshjen e ndërprerë me Rumaninë.

Sipas shumë raportimeve, ndeshja mund të regjistrohet 3:0 në të mirë të Rumanisë. Është përmendur edhe regjistrimi i ndeshjes 0:0, sa ishte rezultati në momentin e ndërprerjes, në kohën shtesë. Edhe nëse ndeshja regjistrohet 3:0 në të mirë të Kosovës, Rumania do të jetë e para në Grupin C2 dhe do të avancojë në Ligën B për edicionin e ardhshëm. Ndërkohë Kosova do të përfundojë e dyta në grupin e Ligës C dhe do të paraqitet në plejofin për promovim në Ligën B.

Në këtë plejof paraqiten katër përfaqësuese që ishin në vendin e tretë në grupet e Ligës B dhe katër përfaqësuese që u renditën në pozitën e dytë në grupet e Ligës C. Do të përballen përfaqësueset e Ligës B me ato të Ligës C, ndërsa përfaqësueset e Ligës B do të jenë vendëse në ndeshjen e dytë. Ndeshjet do të zhvillohen më 20 dhe 23 mars të vitit të ardhshëm.

Sllovenia, Gjeorgjia, Islanda dhe Irlanda janë kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në plejof. Sllovenia i mblodhi tetë pikë në grupin B3 ku ishin edhe Norvegjia, Austria dhe Kazakistani. Gjeorgjia mblodhi shtatë pikë, sa edhe Shqipëria, në grupin B1, ku e para u rendit Çekia dhe e dyta ishte Ukraina. Shqipëria ka rënë në Ligën C. 

Islanda, po ashtu,  i kishte shtatë pikë në Ligën B4, ku garoi me Uellsin, Turqinë e Malin e Zi. Irlanda mori gjashtë pikë ndaj Finlandës në grupin B2, derisa i humbi ndeshjet me Anglinë dhe Greqinë.

UEFA ende nuk i ka zyrtarizuar kombinimet që lidhen me grupin C2, pasi nuk ka regjistruar ndeshjen e ndërprerë. Nga ky grup tashmë është zyrtare që Qiproja mbetet në Ligën C, ndërsa Lituania bie në Ligën D. 

Edhe Kosova mëson sot kundërshtarët e parë në Ligën B Futboll Kosova mëson sot kundërshtarët e parë në Ligën B

Në çerekfinale të Ligës së Kombeve janë kualifikuar Kroacia, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Portugalia dhe Spanja. Në Ligën A prej Ligës B janë promovuar Çekia, Anglia, Norvegjia e Uellsi. Prej Ligës A në Ligën B kanë rënë Bosnjë-Hercegovina, Izraeli, Polonia e Zvicra. 

Shorti për tri plejofet e Ligës së Kombeve dhe për çerekfinale të Ligës A do të zhvillohet të premten nga ora 12:00 në Nyon të Zvicrës.

Synim i Kosovës është fitimi i grupit dhe promovimi direkt në Ligën B. Por humbja e shtatorit, 3:0 në Prishtinë nga Rumania, bëri që synimi i madh për këtë kampanjë të mos realizohet.