Futboll

Si ia doli Chelsea ta “shkatërrojë” Parisin e pandalshëm?

Chelsea

Paris Saint-Germaini po shkatërronte çdo gjë para vetes. Nisi me titullin në Francë herët në prill, ndërsa arriti kulmin duke demoluar Interin në finale të Ligës së Kampionëve. Ishte vështirë të besohej se sa dominantë ishin parisienët në atë finale.

Dukej që njëjtë do të ishte edhe në Kupën e Botës për Klube në SHBA. Parisi e mposhti Bayernin e më pas “shkeli” Real Madridin, 4:0, për vend në finalen e së dielës.

Parisi vlerësohej favorit i madh edhe në finalen ndaj Chelseat. Por lojtarët e Luis Enriques mbetën të shtangur.

Edhe para spektaklit mes dy pjesëve, gjëra të magjishme u panë në fushë. Cole Palmer shënoi dy gola të shkëlqyer dhe përgatiti golin e tretë të shënuar nga Joao Pedro. Rezultati i pjesës së parë ishte 3:0 në të mirë të Chelseat. Rezultati në fund mbeti i njëjti.

“Nuk e kam parë kurrë PSG-në të dorëzojë topin aq shumë sa në këtë pjesë të parë”, tha ish-reprezentuesi i Anglisë, Andros Townsend. “Është meritë e plotë e Chelseat për gatishmërinë që ta ndjekë topin në këtë nxehtësi të New Yorkut”, shtoi ai.

Por, si ia doli skuadra e Enzo Marescas? Sa e mirë në të vërtetë është skuadra e Chelseat?

Në dy vjetët e fundit ka ndodhur shpesh që kur Palmer luan mirë edhe Chelsea luan mirë. 23-vjeçari luajti kryesisht si mesfushor i avancuar në edicionin që përfundoi me finalen e së dielës. Pati vështirësi në atë pozitë. I kishte plot 18 ndeshje rresht pa shënuar gol dhe pranoi se “kaloi një kohë të vështirë brenda dhe jashtë fushës”.

Palmer u zhvendos në krahun e djathtë gjatë Botërorit, pozitë që e bëri të veten nën drejtimin e trajnerit të mëparshëm të Chelseat, Mauricio Pochettino. Dhe anglezi është dukur sërish në formën e tij më të mirë.

Chelsea e nisi furishëm ndeshjen ndaj PSG-së. Trajneri Maresca vlerëson se ndeshja u fitua në 10 minutat e parë, me “qasjen agresive dhe presionin e lartë që e vuri Parisin në stres të panjohur”.

“Ideja ishte të shkonim lojtar përballë lojtari, pasi nëse i lejon hapësirë PSG-së, kjo skuadër të vret. Kemi provuar të jemi shumë agresivë dhe t’i mbysim ata që në fillim. Ky intensitet ishte vendimtar në 10 minutat e parë”, ka thënë Maresca.

Pasi Chelsea kishte shfaqur autoritetin e tij, ishte e qartë se londinezët synonin krahun e majtë të PSG-së. Joao Pedro lëvizte shpesh jashtë për t’iu bashkuar Palmerit.

Metoda e londinezëve shpesh ishte e drejtpërdrejtë. U bënë pasime pas mbrojtjes së PSG-së. Mbrojtësi i majtë i PSG-së, Nuno Mendes, kishte kohë të tmerrshme.

“Patëm shumë sukses duke eksploruar anën e majtë të mbrojtjes së kundërshtarit”, tha Maresca. “Gjërat funksionuan në mënyrë perfekte për ne, falë përpjekjeve që bënë lojtarët”, ka shtuar trajneri italian.
Analistët në Angli kanë vlerësuar ndeshjen si “kryevepër taktike”.

“Chelsea e ka vënë në presion mbrojtjen e PSG-së. Nuk e kemi parë asnjë ekip të bëjë këtë”, ka thënë ish-mesfushori i Chelsat, John Obi Mikel.

Vlera e Botërorit të Klubeve do të rritet

Ka pasur mendime të ndryshme lidhur me vlerën e vërtetë të Kupës së Botës për Klube. Me formatin e ri, në Botërorin e Klubeve garuan 32 ekipe nga e gjithë bota. Lojtarët e Chelseat tashmë janë kampionë të botës, deri në kampionatin e ardhshëm të klubeve që mbahet në vitin 2029. Chelsea do ta mbajë një stemë në fanellë si kampion i botës. 

Të hyrat për klubin londinez nga suksesi në Botëror janë mbi 100 milionë euro.

Nuk kishte dilema se sa shumë do të thoshte triumfi në Botërorin e Klubeve për lojtarët dhe stafin.

Ata festuan me entuziazmin që shihet pas triumfit në Ligën e Kampionëve dhe në Premier League.
Lojtarët e PSG-së ishin shumë të mërzitur për humbjen. Emocionet nuk u kontrolluan. Kishte edhe përplasje mes lojtarëve e trajnerëve.

“Mendoj se kjo garë do të jetë po aq e rëndësishme sa Liga e Kampionëve, apo edhe më e rëndësishme se ajo”, tha Maresca.

“Isha me fat që tre vjet më parë isha pjesë e stafit të trajnerëve të Manchester Cityt kur u fitua Liga e Kampionëve. Por kjo garë është e klubeve më të mira në botë. Kjo është arsyeja pse e vlerësojmë atë po aq sa Ligën e Kampionëve e ndoshta edhe më shumë. Për ne ishte një triumf i madh. Të mundësojmë që tifozët e Chelseat ta mbajnë atë shenjë të kampionit të botës në fanellat e tyre është një burim krenarie për ne”.

Cole Palmer ka folur po ashtu për suksesin. Ka thënë se ndjenja është e mrekullueshme.

“Edhe më e mirë pasi të gjithë kanë dyshuar në ne para ndeshjes. Ne e kemi ditur këtë. Të luftojmë si kemi bërë, është e veçantë”, ka thënë ylli i Chelseat.

Triumfi, shenjë që Chelsea do të shkëlqejë

Shumë njerëz kanë qeshur me transferimet e bëra nga Chelsea nën drejtimin e Todd Boehlyt. Londinezët kanë shpenzuar rreth 1,5 miliardë euro për lojtarë, që kur Boehly mori klubin në vitin 2022. Chelsea ka firmosur kontrata për shtatë, tetë e nëntë vjet.

Ka pasur shumë dyshime për cilësinë e Chelseat, por skuadra po duket mirë pas triumfit në Ligën e Konferencës dhe në Kupën e Botës për Klube. Chelsea ishte skuadra më e re në Kupën e Botës për Klube. Nuk e kishte asnjë lojtar mbi 27 vjet. Kështu që londinezët pritet të përmirësohen ende.
Por a është gati Chelsea për ta sfiduar titullin e kampionit në Premier League?

“Nuk mendoj se është larg. Edicionin e kaluar, para Krishtlindjes, të gjithë flisnin për të si pretendent”, thotë legjenda Gareth Bale. 

“Padyshim që Chelsea ka skuadër të re, por që do të mësojë shumë nga kjo. Lojtarët e Chelseat kanë treguar shumë karakter për t’u kthyer dhe për ta fituar Ligën e Konferencës. Tani edhe Botërorin. Besimi do të rritet. Lojtarët do t’u besojnë aftësive të tyre”, ka shtuar uellsiani Bale.

Të tjerë lojtarë cilësorë bashkohen me londinezët për edicionin e ardhshëm. Kështu që Chelsea mund të nisë tjetër periudhë shkëlqimi.