Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Si e ndihmuan Grudën “këpucët e Messit” dhe fjalët e Kloppit?

Bajran Gruda

“Ai shfaqi aftësi fantastike me këmbën e majtë”. Kështu shkroi të martën mbrëma UEFA kur njoftoi se futbollisti shqiptar Brajan Gruda u shpall “lojtar i ndeshjes” ndërmjet Leipzigut dhe PSV Eindhovenit. Leipzigu e fitoi me gol të Grudës 1:0 ndeshjen e xhiros së dytë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve. Ai realizoi në minutën e 75-të, pas gjuajtjes së shkëlqyer nga jashtë zonës.

“Ai është djalosh i veçantë, gazmor dhe i mençur”, tha trajneri i Leipzigut, Martin Demichelis pas ndeshjes. Vetë Gruda u shpreh tejet i lumtur për fitoren fillimisht, e më pas edhe për arritjen individuale.

“Është ndjenjë e shkëlqyer, të jem i sinqertë. Isha i lënduar dhe tani jam kthyer dhe jam në gjendje të luajë nga fillimi. Është ndjenjë e jashtëzakonshme, sidomos që me golin që shënova fituam tri pikë”, ka deklaruar Gruda pasi u shpall “lojtari më i mirë i ndeshjes” nga grupi i ekspertëve të UEFA-s.

Prapa paraqitjeve të mira dhe lëvdatave të mëdha për lojën e Grudës është përzgjedhësi i Gjermanisë, Jurgen Klopp.

Gruda ishte i përzgjedhur nga Kloppi për të luajtur në ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe ishte afër debutimit. Por, në xhiron e katërt të Bundesligës gjermane ndaj Bayer Leverkusenit, 22-vjeçari pësoi lëndim. Për shkak të atij lëndimi, Gruda nuk arriti që të jetë pjesë e Gjermanisë për dy prej katër ndeshjeve të Ligës së Kombeve që u zhvilluan në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit.

Edhe Shqiptari Gruda ia siguron fitoren Leipzigun Futboll Shqiptari Gruda ia siguron fitoren Leipzigun

Gruda ishte i dëshpëruar që lëndimi ia pamundësoi debutimin me Gjermaninë, por ka dhënë detaje se çfarë ka biseduar me përzgjedhësin Klopp. Motivimi i ish-trajnerit shumë të suksesshëm të Liverpoolit ishte i madh.

“Tërheqja nga kampi i Gjermanisë për shkak të lëndimit ishte situatë që më mërziti”, ka shpjeguar Gruda pas fitores së parë të Leipzigut në këtë edicion të Championsit. “Por Jurgen Klopp më tha se ky nuk do të jetë rasti im i fundit. Nëse do të kem paraqitje të mira, shansi do të më vijë sërish”, ka theksuar Gruda duke iu referuar fjalëve të Kloppit.

Gjermania do të luajë në udhëtim te Serbia para se të përballet me Holandën në shtëpi, në dy ndeshjet e fundit të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve në muajin nëntor. Para atyre ndeshjeve, Gruda duhet ta shfaq më të mirën për ta fituar sërish besimin e Kloppit. Dhe këtë synon ta bëj që në këtë fundjavë, kur Leipzigu luan në udhëtim te Bayern Munichu të shtunën, në “Allianz Arena”.

“Nëse e japim 100 për qind nga vetja, mendoj se mund ta mposhtim çdo skuadër”, ka shtuar Gruda. “Është futboll dhe çdo gjë mund të ndodhë. Kemi atmosferë të mirë në ekip, i besojmë njëri-tjetrit dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, është shprehur Gruda.

22-vjeçari që është mesfushor me tipare sulmuese, mungoi ndaj Eintracht Frankfurtit në fundjavën e kaluar, ndërsa të martën mbrëma u zëvendësua vetëm një minutë pasi e shënoi golin e bukur.

Me paraqitjen dhe aftësitë e tij, shumë i lumtur është edhe trajneri Martin Demichelis.

“Kam qenë në gjendje të punojë me të për së afërmi gjatë javëve të fundit. Ai kishte fillimisht lëndim në brinjë dhe së fundmi pati telashe me muskujt e barkut. Ai nuk mundi të startonte ndaj Frankfurtit, por ne morëm vendimin në këtë ndeshje në favor të tij. Kjo është ajo që më duhet si trajner. Jam shumë krenar për skuadrën”, theksoi trajneri Demichelis.

Gruda është me prejardhje nga Shkodra, ndërsa ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Gjermanisë, nga U15 deri në U21. Me U21 i ka tri gola të realizuar.

Edhe Shqetësime për Grudën para grumbullimit me Gjermaninë Futboll Shqetësime për Grudën para grumbullimit me Gjermaninë

Në tetor të vitit të kaluar, Lionel Messi, njëri prej më të mirëve në histori të futbollit, e zgjodhi Grudën në mesin e 10 lojtarëve më premtues. Në tetor të këtij viti, pas pensionimit të Messit tek Argjentina, Gruda mori dhuratë të veçantë nga tetë herë fituesi i “Topit të Artë”. Ai pranoi një palë atlete me nënshkrim të Messit. Gruda ishte në mesin e 208 personave të afërt të tij që pranoi atlete me prodhim të limituar.

Gruda në nivelin e të rriturve ka luajtur edhe për Mainzin në Gjermani dhe Brightonin në Angli. Ai në fakt është i huazuar nga Brightoni, por me obligim të blerjes në fund të sezonit.