Futboll

Shpërthimi i sulmuesit të Kosovës në Bundesligë

Fisnik Asllani

Te Kosova është zgjedhja e tretë për sulm. Por në Bundesligë, Fisnik Asllani po shkëlqen aktualisht.

23-vjeçari të shtunën i shënoi dy gola në fitoren 4:2 të Hoffenheimit ndaj Union Berlinit. Asllani është i lindur në Berlin dhe një pjesë të zhvillimit e ka bërë pikërisht tek Unioni.

Në xhiron e parë të Bundesligës, shtatlarti kishte një gol e një asistim në fitoren 2:1, po në udhëtim, ndaj Bayer Leverkusenit. Në xhiron e dytë Asllani mbeti “pa kontribut” në disfatën 3:1 nga Eintracht Frankfurti.

Tri gola e një asistim në tri ndeshjet e para është bilanc shumë i kënaqshëm për kosovarin. Ai po ashtu ka gol e asistim në një ndeshje për Kupë të Gjermanisë.

Ndaj Union Berlinit, te Hoffenheimi startuan edhe Leon Avdullahu në mesin e fushës dhe Albian Hajdari në qendër të mbrojtjes.

Avdullahu, njëjtë si Asllani, është reprezentues i Kosovës. Hajdari mund të bëhet, ndonëse ka luajtur për Zvicrën.

Mediumi gjerman, “Kicker”, i ka kushtuar një shkrim Asllanit dhe kthimit të tij në qytetin e lindjes dhe në klubin ku u rrit. Ka shkruar se si Asllani doli përballë portierit vendas që në minutën e pestë, por nuk shënoi. Pas një situate të tillë shumë sulmues do të vuanin por jo edhe Asllani, shkruan gazeta gjermane.

Asllani për herë të dytë u shpall më i miri i ndeshjes këtë edicion.

“Kjo më mbush me krenari”, ka thënë Asllani pas ndeshjes. “Në përgjithësi është shumë, shumë vështirë të fitosh këtu në Berlin. Vitet e fundit e kanë dëshmuar këtë dhe skuadrat tjera kanë dështuar këtu po ashtu. Për këtë jam shumë i lumtur që ishim në gjendje të mposhtim një ekip të mirë të Unionit, ndaj të cilit është gjithnjë vështirë të luhet. Jam shumë krenar për këtë. Është po ashtu qyteti im dhe të shënoj dy gola këtu më bënë krenar”, ka shtuar sulmuesi i Kosovës.

Asllani ishte larguar nga Union Berlini pas paraqitjeve me ekipin U19, në mungesë të hapësirës. Ishte transferuar te Hoffenheimi. Pas periudhave të huazimit tek Austria Vjena dhe Elversbergu, po dëshmohet i rëndësishëm te Hoffenheimi.

“Asnjëherë nuk kam luajtur në këtë stadium kur ishte i stërmbushur. Të shënoi më pas dy gola është gjë shumë e mirë. Shokët janë këtu, familja ime ka udhëtuar për këtë rast, shumë ish-kolegë. Madje edhe mësuesit e vjetër ishin këtu”, ka treguar Asllani.

Ai është i kënaqur që skuadra reagoi pas disfatës nga Frankfurti. Ka thënë se që nga fillimi i ndeshjes u janë përmbajtur kërkesave të trajnerit. Hoffenheimi tani e pret Bayernin, në një ndeshje shumë të vështirë. Do të jetë rast i mirë për të treguar nivelin e skuadrës e po ashtu që Asllani të shfaqet sërish në skenën e madhe.

Në edicionin e kaluar ai shkëlqeu tek Elversbergu në Bundesliga 2, me 18 gola e nëntë asistime në 33 paraqitje. Në dhjetë ndeshjet e mëhershme në Bundesligë me Hoffenheimin, në vitet 2021, 2022 e 2023, nuk kishte shënuar gola. Por tani ka shpërthyer dhe po dëshmon që është gati për ligën elitare gjermane.