Futboll

Supergol në fitoren e parë në shtëpi, Asllani flet për “shpërblimin”

FISNIK ASLLANI

Fisnik Asllani po e vazhdon shkëlqimin në Bundesligë. Të shtunën shënoi supergol në fitoren 3:1 të Hoffenheimit ndaj Heidenheimit. Ndeshja i takoi xhiros së tetë të Bundesligës, ndërsa për Hoffenheimin ishte fitorja e parë këtë edicion në shtëpi.

Sulmuesi i Kosovës, Asllani, tani ka pesë gola e një asistim në tetë paraqitje. Nuk kishte shënuar ndaj Kolnit më 3 tetor dhe ndaj St. Paulit më 19 tetor, por ndaj Heidenheimit goditi bukur nga distanca për epërsinë 1:0 në minutën e 18-të.

Pos Asllanit, te Hoffenheimi startuan edhe Albian Hajdari në qendër të mbrojtjes dhe Leon Avdullahu në mesfushë. Hajdari po ashtu kishte ndeshje të mirë, ndërsa u vlerësua edhe paraqitja e Avdullahut.

Hoffenheimi tani i ka katër fitore dhe me 13 pikë është në pjesën e epërme të tabelës.

Asllani, që është golashënuesi i tretë më i mirë në Bundesligë, është shprehur shumë i lumtur për fitoren.

“Ndihem mirë për golin, por edhe më mirë për fitoren”, ka thënë Asllani për faqen zyrtare të Hoffenheimit. Atë e gëzon fakti që fitorja më në fund u arrit në ndeshjet në shtëpi.

“Të gjithë jemi shumë të lumtur që më në fund morëm tri pikë në shtëpi. Tani duam të ndërtojmë në këtë, së pari në ndeshjen për kupë e më pas në Bundesligë. Ne kemi reaguar shpejtë kur shënova golin. Më vjen mirë që topi përfundoi në rrjetë. Shumë punë është bërë në këtë ekip. Këtë herë jemi shpërblyer”, ka shtuar Asllani.

Ai tashmë është i rëndësishëm edhe te Kosova. Ka shënuar golin e fitores ndaj Suedisë. Por po shfaqet i suksesshëm edhe në Bundesligë, njërën prej ligave më të forta në botë.

“Ne të gjithë po shtyjmë para së bashku dhe për këtë është shumë kënaqësi. Ju mund ta shihni këtë në rezultate – për këtë gjërat po shkojnë kaq mirë”, ka theksuar Asllani.

Më 28 tetor, Hoffenheimi luan me St. Paulin në ndeshje për Kupë. Më pas përballet me Wolfsburgun dhe Leipzigun në Bundesligë. Dhe më pas Asllani, Hajdari e Avdullahu udhëtojnë për në Kosovë për ndeshjet vendimtare me Slloveninë dhe me Zvicrën.