Futboll

Nënkampioni i Gjermanisë e shkarkon Ten Hagun pas vetëm dy xhirove

Erik ten Hag

Bayer Leverkuseni e ka shkarkuar trajnerin holandez, Erik ten Hag, pas vetëm dy xhirove të Bundesligës.

Klubi gjerman e mori vendimin të hënën. Vendimi në fakt është i komitetit të aksionarëve, që është trup mbikëqyrës i klubit, me rekomandim të menaxhmentit të Bayer 04.

“Vendimi nuk ishte i lehtë. Askush nuk e ka dashur këtë hap. Megjithatë javët e kaluara kanë dëshmuar se krijimi i një ekipi të suksesshëm, nuk është i mundur me këtë qasje. Ne besojmë fuqishëm në kualitetin e ekipit tonë dhe tani do të bëjmë çdo gjë të mundur për të bërë hapat e duhur drejt zhvillimit, me qasje të re”, ka thënë Simon Rolfes, drejtor menaxhues i Leverkusenit.

Bayer Leverkuseni humbi në xhiron e parë të Bundesligës dhe barazoi në të dytën. Por drejtuesit e klubit ka kohë që ishin të pakënaqur me Ten Hagun, që në të kaluarën e drejtoi Manchester Unitedin. Dhe të hënën u mor vendimi për shkarkimin e tij.

“Ndarja e rrugëve në këtë fazë të hershme të edicionit është e dhimbshme, por kemi ndier se është veprim i domosdoshëm. Mbesim të përkushtuar për të arritur synimet tona për këtë edicion. Dhe për këtë na duhen kushtet më të mira në të gjitha nivelet dhe në gjithë ekipin e parë”, ka thënë shefi ekzekutiv i klubit, Fernando Carro.

55-vjeçari holandez ka drejtuar Ajaxin me sukses, nga viti 2018 deri në vitin 2022. Ka punuar edhe tek Utrechti, ekipi i dytë i Bayernit dhe klubi Go Ahead Eagles.